Mbahet protestë për lirimin e Feta Alimit
Të premten, me fillim prej ora 14:00, në Sheshin “Skënderbeu” do të fillojë marshi protestues “Liri për Feta Alimin”, i cili më pas do të vazhdojë drejt Gjykatës së Shkupit.

“Të nderuar vëllezër dhe motra, ju ftojmë të na bashkëngjitni në protestën gjithë popullore që do të mbahet ditën e premte në ora 14:00 në Shkup. Vendtakimi do të jetë te Sheshi Skënderbeu dhe do të marshojmë deri te Gjykata. Ta ngritmi zërin e arsyes për të gjitha rastet e montuara politike, të kërkojmë drejtësi dhe liri për të gjithë të pafajshmit të dënuar nga gjykatat politike, siç ishte rasti i fundit me vëllain tonë Abdulfeta Alimi”, thuhet në njoftimin e Këshillit Organizativ të Iniciativës “Pa drejtësi s’ka qetësi”.

Protesta vjen pas shpalljes së aktgjykimit të rastit “E enjtja e përgjakshme” për sulmin e 27-prillit në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), pasi Abdulfeta Alimit iu shqiptua dënimi në lartësi prej 7 vjet burg, ku siç sqaruan nga Gjykata, për shkak se Alimi në kohë kur ka qenë pjesë e sigurimitParlamentit, “në bazë të incizimeve të ngjarjes, duket qartë se ai është i pranishëm në dyert kryesore të Parlamentit, por sillet me indiferencë në atë rrëmujë dhe nuk ka reaguar të ndërmerr diçka.

Ai ia ka dhënë çelësin e derës ku ka qenë ai, të dënuarit Goran Gjoshevski – Levi, shef të sigurimit të ish kryeparlamentarit, Trajko Veljanovski”.

Nga ana tjetër, Alimi ka kontribuar për shpëtimin e jetës së deputetit dhe liderit të partisë Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela.
Shtuar më 20/03/2019, ora 10:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori