Këta janë emrat e Alternativës në qeverinë maqedonase

Alternativa sot cakton emrat e bartësve të funksioneve në Qeveri. Kuadrot do t’i propozojë kryetari i këtij subjekti, Afrim Gashi në mbledhjen e Kuvendit Qendror.

Zyrtarisht nuk dihet asnjë emër, por nga ajo është mësuar gjatë negociatave lë të kuptohet se Bekim Sali do të jetë propozimi i Gashit për ministër të Shëndetësisë, ndërsa Admirim Haliti për ministër të Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Në mbledhje pritet të caktohen edhe emrat e zëvendësministrave. Alsat mëson se Lulzim Aliu pritet të jetë emri i propozuar për zëvendësministër të Arsimit, zëvendësministër të Transport dhe lidhje apo Bujqësi, varësisht për cilën përcaktohet Alternativa do të emërohet Abdylshyqyr Abedini nga Gostivari, ndërsa emri i njeriut të dytë në dikasterin e Kulturës mësohet të jetë Daim Luçi.

Orhan Murtezani do të propozohet për drejtor në MEPSO, ndërsa në Fondin Pensional Invalidor jo zyrtarisht mësohet të jetë Driton Bexheti. Emri i këtij të fundit lakohet edhe si drejtor i Hekurudhave-Transporti. Në Agjencinë për Investime të huaja do të propozohet Bekim Emini, ndërsa në Drejtorinë e Librave Amë, Blerim Abazi nga Kumanova. Amir Elezi është emri i propozuar për drejtor në Spitalin e Qytetit të Tetovës.
Pozitat e drejtorëve dhe këshillave drejtues partia e Gashit pritet t’i merr nga java e ardhshme, ndërsa ministrat dhe zëvendësministrat do të zgjidhen në kuadër të riformatimit të kabinetit qeveritar pas 15 janarit të vitit të ardhshëm. /Alsat.mk