Marrëveshja të hënën dërgohet në Qeveri, si do të kalojë pa e miratuar Ivanovi
Ligji për ratifikimin e marrëveshjes, të hënën pritet të kalojë në Qeveri, ndërsa i njëjti do të dërgohet në Kuvend për miratim. Për miratimin nevojitet shumicë e thjeshtë, përkatësisht shumica e të pranishmëve në sallë.

Nga kuorumi minimum i 61 deputetëve, 31 nevojitet që të votojnë ‘pro’, transmeton Alsat M.

Sipas procedurave, ligji dërgohet në presidencë. Presidenti Ivanov në afat prej shtatë ditëve duhet të firmosë të njëjtin. Përderisa Ivanov përdor të drejtën e vetos, marrëveshja kthehet prapë në procedurë parlamentare, ndërsa atëherë do të nevojiten minimum 61 vota të deputetëve për miratimin e ligjit dhe i njëjti përsëri kthehet tek presidenti, i cili sipas kushtetutës është i obliguar që ta firmosë.

Mirëpo presidenti Ivanov tashmë ka bërë të ditur qëndrimin e tij se nuk do të firmos një marrëveshje të tillë. Implementimi i marrëveshjes do të zhvillohet në disa etapa. Do të hyjë në fuqi pasi dyja palët do ta pranojnë në përputhje me procedurat e brendshme, ndërsa përderisa cilado palë nuk e pranon marrëveshjen atëherë ajo nënkupton se e njëjta nuk vlen.

Qytetarët do të thonë fjalën e tyre në referendum, i cili pritet të mbahet në shtator ose tetor.
Shtuar më 17/06/2018, ora 11:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori