Marrëveshja e Ohrit solli paqen
Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov deklaroi se Marrëveshja Ohrit (MO), solli paqen dhe mundësoi zhvillimin e demokracisë në vend. "Historia na mësoi se është e domosdoshme fillimisht të arrihet paqe, që të mundësohet zhvillim i demokracisë. Pikërisht këtë e arriti Marrëveshja e Ohrit. Demokracia dhe multi-etnicitetit kanë një gjë të përbashkët: është më mirë që të burojnë nga brenda, nga vetë shoqëria, që të jenë me të vërtetë më efikase", deklaroi Ivanov në Ohër, në konferencë e sotme kushtuar 10-vjetorit të MO-së.

Ivanov theksoi se, kjo marrëveshje ishte baza për ndryshimin e kushtetutës, legjislacionit, decentralizimin, përfaqësimin e barabartë të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera në administratën shtetërore, sigurimin e arsimit në gjuhën e tyre amtare, përdorimin e gjuhës, shprehjen e identitetit.

Ndërkaq, zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Musa Xhaferi deklaroi se, MO-ja llogaritet një nga dokumentet më të rëndësishme në historinë e Maqedonisë, sepse sipas tij ky dokument i rëndësishëm i siguroi të ardhmen asaj, i tha jo diskriminimit, përdorimit të dhunës, ndarjeve etnike dhe territoriale, ndërsa solli perspektivën, tolerancën, barazinë si dhe bashkëjetesën multietnike.
Më pas ai theksoi se nga viti 2001 Marrëveshja e Ohrit zbatohet me dinamikë të caktuar, në të gjitha sektorët shoqërorë, me qëllim të ndërtimit të shoqërisë së re dhe modelit të shtetit të ri multietnik, me çka në tërësi eliminohen shkaqet për konfliktin.

"Marrëveshja e Ohrit është më shumë se marrëveshje, është proces midis bashkësive i cili zgjat akoma. Kur midis dy palëve kishte njerëz të cilët vlerësonin se do të prishet, ne bënim hap pas hapi dhe mund të themi se asnjë prej atyre hapave nuk ishte i lehtë, ndërsa të gjitha hapat e vegjël dhe të mëdha ishin investim në të ardhmen tonë dhe të ardhmen e vendit tonë", shtoi Xhaferi.
Ish-ambasadori, Filip Riker theksoi se MO-ja përfundoi konfliktin e vitit 2001 duke parandaluar kështu luftën civile në Maqedoni. Sipas tij, kjo marrëveshje ishte shans i mirë për tejkalimin e dallimeve mes më tepër popujve.

Ndërsa, diplomati amerikan, Xhejms Perdju, njëri nga negociatorët për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit deklaroi se kjo marrëveshje mundësoi paqen dhe një të ardhmen më të mirë për Maqedonisë.

Sipas tij, ky dokument paraqet model për tejkalimin e konflikteve etnike edhe në rajone tjera të krizës.(INA)
Shtuar më 12/08/2011, ora 19:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori