Edi Rama paguan 21 persona për menaxhimin e Facebook-ut
Marrëveshja e Ohrit – papirusi që nuk po i fsheh tronditjet
Pëlqej
nga Emin Azemi

Po bëhen 13 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, një dokument ky që për kohën kur u miratua, u konsiderua si ‘zbulim’ që do të rregullonte të gjitha kontradiktat etnike, sociale e politike në shoqëritë multietnike.

Parimet themelore të kësaj marrëveshjeje ishin katër: 1. Tërësisht dhe pa kusht hidhet poshtë përdorimi i dhunës për realizimin e emin azemiqëllimeve politike.

Vetëm zgjidhjet paqësore politike mund ta garantojnë stabilitetin dhe ardhmërinë demokratike të Maqedonisë; 2. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Maqedonisë dhe karakteri unitar i shtetit janë të pashkelshëm dhe duhet të ruhen. Nuk ekzistojnë zgjidhje territoriale për çështjet etnike; 3. Karakteri shumetnik i shoqërisë maqedonase duhet të ruhet dhe të gjejë shprehjen e vet në jetën publike. Një shtet bashkëkohor demokratik, në rrjedhën natyrore të zhvillimit dhe krijimit të vet, duhet vazhdimisht të sigurojë Kushtetutën e tij që tërësisht t’i plotësojë nevojat e të gjithë qytetarëve të saj, në pajtim me standardet më të larta ndërkombëtare si dhe vet të zhvillohen vazhdimisht;4. Zhvillimi i pushtetit vendor është me rëndësi thelbësore për nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën demokratike dhe për përparimin e respektimit të identitetit të bashkësive.

Por, tash kur Maqedonia po noton në ujëra të trazuara, kur pakënaqësia qytetare e shqiptarëve ka thyer traditën e gjatë të heshtjes, askush nuk është i sigurt se sa kjo marrëveshje do të mund të mbulojë të gjitha pikëpyetjet që janë ngritur si gjilpëra mbi fushën me kontraste etnike, sociale e politike të Maqedonisë.

Nga individë, institucione e faktorë të ndryshëm janë dhënë vlerësime të ndryshme mbi ecurinë e implementimit të kësaj marrëveshjeje. Por emërues i përbashkët i të gjitha këtyre vlerësimeve ka qenë konstatimi se MO ka pësuar ngecje në segmente të caktuara dhe jo rrallë obstruimi i mosimplementimit të saj ka ardhur nga vetë politikanët.

Loja jo e sinqertë në mes të partnerëve – diversion mbi MO

Marrëveshja e Ohrit është një dokument i rëndësishëm që konfirmonte gjetjen e kompromisit politik në fund të një konflikti etnik. Sipas parashikimeve, kjo marrëveshje ka qenë dashur të implementohet deri në fund të vitit 2004, gjegjësisht në fillim të 2005.

Vonesat që sollën mosimplementimin me kohë të kësaj marrëveshjeje kanë mjaftuar të frustrojnë shumë njerëz, por të shfaqin edhe ide e alternativa konkurruese në “tregun” e ideve politike.

Askush nuk ka ekskluzivitet dhe autorësi personale mbi Marrëveshjen e Ohrit për ta konsideruar atë si dokument partiak rreth të cilit duhet domosdoshmërisht të lidhen koalicionet brendashqiptare. Fundja, koalicionet nuk kanë gjithmonë për bazë aspektin ideologjik e doktrinar, sa e kanë dimensionin praktik të implementimit të një procesi të caktuar politik brenda një afati të caktuar kohor. Pikërisht pse mungoi një koalicion më i gjerë i forcave politike shqiptare pati edhe vonesë në implementimin e MO.



Sa mundet të konsiderohet MO model për shtetet e tjera?

Lehtësia për të promovuar Maqedoninë si model të një shteti multietnik burimin e ka tek pamundësia për ta dëshmuar të kundërtën e këtij argumenti, se, megjithatë, ka një model tjetër – Kosova, që me Pakon e Ahtisarit, i thyen të gjitha parametrat e mundshëm të analogjisë. Nëse Marrëveshja e Ohrit mund të konsiderohet si një dokument që arriti të neutralizoj plasaritjet e mëtejme ndëretnike, pas një konflikti dramatik në v. 2001, ky nuk është kurrfarë argumenti për të shpikur një fjalor të posaçëm politik i cili do të shpjegonte ekskluzivitetin e këtij dokumenti gjoja të pakrahasueshëm në arealin e konfigurimeve shumetnike.

Nëse i bëhet një krahasim sipërfaqësor të dy dokumenteve – Marrëveshjes së Ohrit dhe Pakos së Ahtisarit, do të mund të vërejmë një dallim kuantitativ e kualitativ të dimensioneve që rregullojnë raportin në mes të shumicës dhe pakicës, që rregullojnë çështjen e statusit të gjuhëve, statusit të bashkësive fetare, lidhjeve me shtetet amë, financimin dhe autonominë e komunave, funksionalitetin e institucioneve shtetërore në tërë territorin, karakterin unitar të shtetit etj.

Realiteti institucional në Kosovë, përmes Pakos së Ahtisarit, nuk e shpreh realitetin faktik në terren, sepse Kosova promovohet si shtet multietnik me një pakicë të papërfillshme serbe që në asnjë konventë ndërkombëtare nuk ka bazë argumentuese dhe analogjike. Ajo që në Pakon e Ahtisarit evidentohet si obligim për shumicën për ta lejuar përdorimin e gjuhës së pakicës, sepse gjuha serbe ka shtrirje territoriale në tërë Kosovën, ndoshta do të mund të gjente aplikim në Maqedoni, ku shqiptarët numerikisht dhe territorialisht kanë një prezencë dhe shtrirje më të madhe se serbet në Kosovë. Këtu, zaten bie edhe parimi i ekskluzivitetit dhe pakrahasueshmërisë së Marrëveshjes së Ohrit, si gjoja extra-model i vetëm që e ka rregulluar statusin e përdorimit të gjuhës shqipe.



Çka përtej Marrëveshjes së Ohrit?



Cila do të ishte e ardhmja politike e Maqedonisë, nëse dominon opsioni që tejkalon Marrëveshjen e Ohrit, si dokument me “afat të skaduar”?

Cili do të ishte opsioni rezervë? Cila do të ishte alternativa e marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase?

Ka forca politike që këmbëngulin në moslëshimin e Marrëveshjes së Ohrit si opsionin më ideal, që “paketon” në një hapësirë juridiko-politike të gjithë kontroversat disadekadësh të Maqedonisë. Baza argumentuese e këtij vlerësimi nuk shkon përtej tezave të njohura, se Maqedonia para dhe pas Marrëveshjes së Ohrit kishte “dy shpejtësi” të ndryshme sistemesh e dinamikash konstitucionale e politike, prandaj sipas tyre, çdo anashkalim i këtij dokumenti është kthim tek burimi i krizave ndëretnike e politike në Maqedoni.

Mirëpo, sa ky argumentim zë vend dhe ka peshë në bisedimet për krijimin e koalicioneve qeverisëse, kur dihet mirëfilli se në momente e situata të caktuara kanë qenë partnerët qeverisës ata që kanë patur qasje diametralisht të kundërt, sa i përket dinamikës dhe kualitetit të implementimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Prandaj, jo aq Marrëveshja e Ohrit, si dokument fundamental, sa vetë patologjia e implementimit të këtij dokumenti, mund të konsiderohen si çështje problematike për gjithë ata që vendosin të bëjnë koalicione qeverisëse mbi baza të ndryshme etnike.

Por, për hir të së vërtetës, ka grupime politikanësh e analistësh që kanë humbur besimin tek Marrëveshja e Ohrit, duke “i ngarkuar” asaj disa huqe, që assesi të riparohen. Është thënë se testi më i mirë i një marrëveshje politike është vetë koha, vetë procesi nëpër të cilën kalon implementimi i saj. Kontestuesit e MO, kur i analizojnë efektet që ka prodhuar ky dokument dhe mbi të gjitha dinamikën dhe kualitetin e implementimit të tij në praktikë, gjejnë shumë defekte, duke kërkuar një hapësirë më të gjerë brenda së cilës do të realizoheshin të drejtat politike e nacionale të shqiptarëve.

Në Maqedoni, asnjë projekt madhor politik nuk mund të implementohet vetëm. Edhe Marrëveshja e Ohrit kaloi nëpër sfidën e rëndë të konsensusit ndëretnik dhe jo rastësisht ajo u bë edhe gurë peshoje për sprovat e mundimshme të qeverive të këtyre dhjetë vjetëve. Por, në anën tjetër Marrëveshja e Ohrit sikur testonte edhe grafikonin e nacionalizmit maqedonas brenda koalicioneve maqedono-shqiptare dhe fatkeqësisht sa më e obstruar dilte kjo marrëveshje nga partnerë të caktuar maqedonas, aq më i besueshëm dilte në opinionin publik edhe kryeministri maqedonas.



Çështja shqiptare në Maqedoni mbetet e hapur edhe pas MO



Një temë që ka preokupuar vëzhgues të ndryshëm politik, ka qenë e ardhmja e raporteve shqiptaro-maqedonase në dritën e zbatimit të MO. Ka disa prej politikanëve shqiptarë, sidomos ata me stazh më të gjatë në pushtet, të cilët mendojnë se MO është përgjigja më e mirë ndaj sfidave që dalin në raportet shqiptaro-maqedonase. Sipas tyre MO është përgjigja më e mirë për të mbyllur disa nga problemet që tangojnë interesat e shqiptarëve.

Por, kështu nuk mendojnë edhe një lagje politikanësh maqedonas. Kështu, bie fjala, ish kryeministri Lupço Gjeorgjievski është i bindur se raportet mes shqiptarëve dhe maqedonasve do të ndryshojnë në të ardhmen. Ai ka deklaruar se çështja shqiptare në Maqedoni mbetet e hapur edhe pas Marrëveshjes së Ohrit.

“Jam i sigurt se Marrëveshja e Ohrit nuk ka shënuar fundin e negociatave dhe marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve e maqedonasve. Jemi në një situatë latente të këtyre marrëdhënieve, dhe me siguri do të kulmojnë në një fazë të re”, ka theksuar Gjeorgjievski, duke shtuar se “Marrëveshja e Ohrit është vetëm urë kaluese deri te një marrëveshje e re, e cila do të vijojë në një fazë të ardhshme.”

MO nuk i mbylli problemet për të cilat plasi konflikti në 2001

Kufiri kohor i rënies së stereotipeve në Maqedoni mund të merret viti 2001, ndonëse në praktikë ka ende gjurmë recidiviste që shkojnë përtej këtij kufiri.

Insistimi për të përfshirë maqedonishten si gjuhë obliguese për fatosat shqiptarë nëpër shkolla, shkelja e detyrimeve ndaj përdorimit të gjuhës shqipe nëpër disa institucione të themelta publike, mungesa e sensit bashkëpunues të partive maqedonase me drejtuesit e rinj shqiptarë nëpër komuna, eklipsimi i problemeve të brendshme ndëretnike dhe favorizimi i atyre të jashtme si pengesë për mosintegrimin e Maqedonisë në BE e NATO, instrumentalizimi i sistemit të gjyqësisë në funksion të politikës së ditës dhe në dëm të jomaqedonasve, ‘urrejtje laboratorike’ ndëretnike me përdorim të dedikuar politik, tendenca gjithnjë e më hapur për të zhbërë Marrëveshjen e Ohrit dhe frymën që prodhon ajo në praktikën institucionale e konstitucionale, zërat gjithnjë e më të shpeshtë për të hequr dorë nga anëtarësimi në BE e NATO, janë disa nga shenjat dalluese të recidivizmit maqedonas.

Përfundimisht, përpjekja për ta dekompozuar Maqedoninë e Ohrit nga qarqe vendimmarrëse politike maqedonase, është kundërtendencë e frymës kohezive ndëretnike që ka gjeneruar kjo marrëveshje. Faktorizimi i më shumë atributeve shqiptare në institucionalizimin e jetës politike e shtetërore ka prodhuar jo pak bllokada nga vetë ata që janë të obliguar ta implementojnë Marrëveshjen e Ohrit.

Nëse dikur papirusi përdorej për të ruajtur kohëgjatësinë e epokave, sot Marrëveshja e Ohrit nuk po mundet dot të fshehë tronditjet që po duken në syprinën e trazuar të marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase./albeu.com/
Shtuar më 11/08/2014, ora 15:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori