Marrëveshja e Ohrit nuk është lojë
Pëlqej
Nga Xhabir Ahmeti


Që nga fillimi i Marrëveshjes së Ohrit partitë politike nuk kanë bërë ndonjë punë të hairit për realizimin e kësaj marrëveshjeje e cila do të duhej të sillte paqe në këtë vend të munduar dhe të sillte barazi midis shqiptarëve dhe maqedonasve.

Ashtu duhej, por ashtu nuk ndodhi. Ky dokument i rëndësishëm për vendin u la ngadalë që të mbulohet nga pluhuri i harresës. Marrëveshja e Ohrit u trajtua si një lojë. Po nuk është e tillë.

E sot a e di dikush se çfarë është ajo Marrëveshja e Ohrit? E dinë të gjithë se është një marrëveshje me këtë emër, por thuajse askush nuk e di se çfarë ka brenda saj, çfarë shkruan në të përse është bërë.

Nuk e besoj se me përmbajtjen e saj janë të informuar as politikanët të cilët janë të detyruar që ta zbatojnë këtë marrëveshje. Ata po dëshmojnë se nuk e dinë se kjo Marrëveshje është dashur të luajë rol të rëndësishëm jo vetëm për mbarëvajtjen e punëve këtu brenda në vend, por është dashur të ketë peshë, pse jo edhe ndikim, në hartën gjeopolitike të Ballkanit dhe në këtë kontekst edhe të Evropës.

Pas qetësimit të konfliktit midis shqiptarëve dhe institucioneve të shtetit të ri të Maqedonisë, Marrëveshja erdhi si një shpresë se më në fund institucionet do të heqin dorë nga politika e vjetër jugosllave, që është një politikë diskriminuese ndaj shqiptarëve.

Fatkeqësisht doli e kundërta. Marrëveshja duhej të realizohet më herët, shumë më herët. Afati i rrumbullakimit të saj ishte viti 2004. Dhjetë vjet më parë. Tash jemi në vitin 2014. Çfarë u bë? Çfarë ndryshimesh erdhën në jetën e qytetarëve të këtij vendi?

Më mirë asgjë s’u bë. Më keq – po. Dhe, vazhdon avazi i politikës antishqiptare që është e ngjashme me politikën serbe të viteve njëzet, tridhjetë e tutje. Ka dredhi, ka pengesa, ka ndërkëmbëza që nuk lejuan zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

E para e punës, vazhdimisht ministrat përgjegjës për zbatimin e kësaj marrëveshjeje kanë qenë shqiptarë. Dhe, me qëllim ka ndodhur kështu: mos të kemi mundësi të kërkojmë përgjegjësi nga qeveria për shkeljen e kësaj marrëveshjeje, për hedhjen e saj në margjinat e politikës.

Ndërkaq ministrat shqiptarë përgjegjës për këtë marrëveshje e kanë kaluar mandatin në një rehati të padurueshme. Më vjen keq, por më duhet të them se aq ligsht e kanë çuar punën këta ministra sa s’kanë dalë nga rrethi vicioz e s’e nuk do të dalin dot në rrafshin ku zhvillohet së paku jeta politike e nivelit mediokër. Mbeten nën këtë politikë.

Si pasojë shqiptarët ndjehen të braktisur, kurse propagandat e ndryshme, natyrisht të sponsorizuara nga ata që nuk na e duan të mirën, për çdo ditë e nxijnë imazhin e shqiptarëve duke i paraqitur si ekstremistë myslimanë, pa marrë parasysh se shqiptarët janë një popull i cili brenda kombit ka disa fe, por aq tolerancë kemi pasur edhe kemi ende midis feve tona, sa mund të jemi shembull edhe për shtetet evropiane.

Nga ana tjetër, në ato vite kur duhej të rrumbullakohej Marrëveshja u bë mobilizimi më i fuqishëm të masave joshqiptare kundër shqiptarëve. Një mobilizim të kësaj shkalle më duket se nuk ka pasur që nga lufta e dytë botërore e deri më sot.

Dhe, ky mobilizim të cilit i prijnë mediat që me punën e tyre ku janë mobilizuar militantë të pashembullt partiakë përmes komenteve e emisioneve “hajd park” mbjellin vetëm urrejtje ndaj shqiptarëve e vetëm ndaj shqiptarëve.

Ata as që lodhen se fushata e tyre nuk shpie drejt një të ardhmeje të mirë të këtij shteti të vogël i cili mund të ketë perspektivë vetëm në zhvillimin e një kulture të tolerancës e të bashkëpunimit midis maqedonasve e shqiptarëve. Ata tash për tash jetojnë mirë nga mbjellja e urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe nga degradimi i Marrëveshjes së Ohrit.


Po të zbatohej Marrëveshja e Ohrit, për së mbari e me kohë, nuk do të kishim pasur këso mediash të cilat shpeshherë e luajnë rolin e policisë, të prokurorëve dhe të gjyqit. Natyrisht vazhdimisht në bankën e të akuzuarit këta policë shpirtërorë i ulin shqiptarët. Duke i fyer shqiptarët pa karar e pa insaf, pa argumente e pa nevojë, ata ndikojnë që shteti të mos funksionojë si shtet, por si parti.


Dhe hibridi shtet-parti i kontrollon mediat, i kontrollon gjyqet, policia duket si një degë e privilegjuar partiake, kurse opozita nuk ka hapësirë ku t’i sheshojë mendimet e veta. Ku do t’i paraqesë pikëpamjet e veta opozita kur dyert e mediave maqedonase janë mbyllur me dryna të rëndë për të gjithë, përveç atyre që i bëjnë lajka pushtetit edhe kur nuk ka të drejtë.

Mediat pra, janë momentalisht instrument i mbrapshtë i cili shkakton pengesa në zhvillimin e marrëdhënie të mira, të mbara, me një fjalë normale midis dy bashkësive të mëdha etnike në Maqedoni: shqiptarëve e maqedonasve. Kështu Maqedonisë në vend të prosperitetit ia mbyllin shtigjet e zhvillimit ekonomik e kulturor. Dhe, nuk ndalen këtu ato. Punët e tyre zgjerohen edhe në prapëti që synojnë armiqësimin e Maqedonisë me fqinjët. Pikërisht janë mediat shkaktarët kryesorë që Maqedonia ka zënka e polemika të panevojshme me fqinjët.


Nuk është vetëm problemi i emrit ai që e ndal hovin e zhvillimit të vendit, por në vend të parë por janë vendosmëria e parisë që mos të kërkojë kompromise për çështjet e hapura me fqinjët, por mbi të gjitha pengesa thelbësore e ecjes përpara e Maqedonisë është Marrëveshja e Ohrit, përkatësisht moszbatimi dhe mospërfillja e saj nga ana e pushtetit. Për të gjithë mungesën e qasjeve krijuese drejt zhvillimit të vendit dhe si pasojë për të gjitha dështimet politike e kulturore fajësohen vetëm shqiptarët e nuk ndiqet Marrëveshja.


Dhe, madje dikush kujdeset që në pakënaqësitë e shqiptarëve, në protestat e tyre kundër gjykimeve politike të fusë elemente religjioze, si flamuj të gjelbër, parulla të ndryshme që s’kanë të bëjnë me kërkesat e natyrshme të shqiptarëve. Qëllimi është i qartë: të na paraqesin jo si shqiptarë e popull evropian, por si elemente destabilizuese e ekstremiste identike me ata të Lindjes së mesme, me të cilët nuk na lidh asgjë prej gjëje.

E gjithë kjo paraqet një përpjekje që të na imponohen zgjidhje fatkëqija në zhvillimin e mëtutjeshëm të këtij shteti i cili e ka këtë fat: shqiptarë e maqedonas të jetojnë nën një kulm duke e zhvilluar secili kulturën, gjuhën dhe traditën e vet, pa keqkuptime e pa mosmarrëveshje midis njëri-tjetrit. Ndryshe ky shtet nuk mund të funksionojë.


Në këtë përpjekje faj kanë elitat politike shqiptare. Madje faj të madh. Shqiptarët nuk kanë reaguar institucionalisht e të thonë qartas se mediat maqedonase po zhvillojnë një propagandë antishqiptare të ngjashme me atë që zhvillonin mediat e Millosheviçit.

Faktori politik shqiptar ka qenë i plogësht në këtë drejtim. Dy partitë më të mëdha shqiptare s’kanë bërë asgjë tjetër përveç se janë grindur vazhdimisht mes vetes që nga koha mbarimit të konfliktit të vitit 2001. Pse grinden, këtë as tatari s’e merr vesh.

Faji i tyre i pamohueshëm janë përmendoret e shumta të cilat i përjashtojnë shqiptarët nga historia e këtij vendi, faji i tyre më i madh është se janë paraqitur përçarje nga më të ndryshmet brenda bashkësisë fetare islame, e cila nuk kërkon programe pune të klerit, nuk kërkon përgatitje prej tyre, por i lejon që me duar në xhepa të veprojnë dhe – ja përçarja.

Faji i tyre është se kanë lejuar një përçarje politike midis shqiptarëve, një përçarje e cila e ka nxitur mobilizimin e turmave maqedonase dhe populizmin në politikën maqedonase.


Partitë tona asgjë nuk kanë bërë që të rrjedhë për së mbari tranzicioni, duke mos e kuptuar se pikërisht kapitali i menaxhuar kështu si është menaxhuar është ai që do ta shpijë popullin shqiptar në pozitë të proletariatit, pa kurrfarë hiseje në pasurinë e vendit, e cila tërësisht do të kontrollohet nga një shtresë e kapitalistëve maqedonas. Shqiptarët nuk kanë ndonjë pasqyrë se çfarë ndodh me investimet, çfarë bëjnë lobit tregtare, si të vendit ashtu edhe ata të jashtmit me pasurinë e vendit.

Shqiptarët mbeten vetëm fajtorë kujdestarë për çdo politikë të dështuar të elitave politike të vendit. Është koha që të kuptohet se pa pjesëmarrjen e shqiptarëve në zhvillimin e vendit, nuk do të ketë prosperitet.

Duhet të kuptohet njëherë e përgjithmonë se shqiptarët janë faktor i rëndësishëm i këtij vendi. Dhe, nuk mund të bëhen krahasime midis komunës së vogël të Pustecit në Shqipëri, me popullin shqiptar në Maqedoni.

Ato janë dy realitete krejtësisht të ndryshme jo vetëm numerike, por edhe politike, shoqërore e ekonomike. Fshati i dikurshëm Liqenas, të cilit iu lejua të quhet Pustec (për ndryshim nga Maqedonia ku inspektorët e thjeshtë nuk lejojnë të ndërrohen emrat e shkollave e të rrugëve ku jeton shumica shqiptare) nuk ka pasur nevojë që të bëjë një marrëveshje siç e ka bërë populli shqiptar këtu.

Halli tjetër që lidhet me Marrëveshjen e Ohrit është mekanizmi i votimit të dyfishtë – i ashtuquajtur Badenter. Ky është një mekanizëm tejet i rëndësishëm i paraparë me Marrëveshjen në fjalë, por tash për tash ai është një mekanizëm që nuk funksionon, sa mos të themi se është një fjalë e vdekur e hedhur në greminën e harresës.

Njerëzit që e dinë peshën e këtij votimi presin se mos po kthehet në Kuvend dhe në institucionet tjera. Mirëpo pritja është si ajo pritja e këngës popullore që thotë: “Prit me muaj e prit me vjet…”. Asgjë s’ka nga ky mekanizëm. A do të ketë diçka, një zot e di.

Me Marrëveshjen e Ohrit është paraparë të funksionojë edhe një trup shumë i rëndësishëm, ndoshta më i rëndësishmi – Komiteti për marrëdhënie midis bashkësive. Ai është menduar si një trup demokratik kuvendor ku do të debatohen të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërnacionale në Maqedoni.

Dhe, kështu do të mbrohen interesat ekonomike, kulturore, gjuhësore etj. të çdo bashkësie etnike. Struktura e anëtarëve të këtij trupi kuvendor është me pjesëmarrje të barabartë të pjesëtarëve të bashkësive etnike dhe ky trup në njëfarë mënyre duhej ta luante rolin e kuvendit dydhomësh. Për këtë komitet s’ka informacione se çfarë ka bërë dhe a e ka bërë një hap, a ka dalë ndonjëherë kryeministri dhe ministrat që të japin raport për zbatimin e Marrëveshjes.

Aktivitetet e tij janë periferike, sipërfaqësore, minore. Me të vërtetë, pse askush nuk doli të na japë shpjegime se çfarë ndodhë me këtë trup të rëndësishëm. Dhe, kur doli ndonjë funksionar shqiptar që publikisht të tregojë se çfarë ndodh me këtë komitet? Kush e pengon punën e këtij organi që duhet të jetë alfa e omega e punës së deputetëve. Pra të ligjdhënësve.

Pastaj: mbi supet e partive tona politike qëndron edhe pesha e mëkatit për ligjin e përdorimit të gjuhëve, përfaqësimi i mjerë i shqiptarëve në gjyqe, problemi i partizimit të gjyqeve dhe të të gjitha institucioneve relevante të vendit. Me këtë ligj për përdorimin e gjuhëve që më shumë pengon se sa i hap dyert barabarësisë, me këto gjyqe që merren kryesisht me gjykime politike kundër shqiptarëve dhe me zvogëlimin e numrit të shqiptarëve nëpër institucione, këtu nuk do të shkojnë punët për së mbari.


Këto dhe një varg problemesh që dalin nga moszbatimi i Marrëveshjes së Ohrit sjellin frustrime te të dy etnitë numerikisht më të mëdha të vendit. Si pasojë vjen edhe frika nga ndryshimet kushtetuese ku secila palë ka droje se do të dalë humbëse.

Tash prej dite në ditë rritet dilema se a ka Maqedonia potenciale që ta realizojnë Marrëveshjen e Ohrit në tërësi për një afat sa më të shkurtër, a ka kuadro të cilat do ta bënin një strategji e cila do ta nxirrte vendin nga ky qorrsokak, në mënyrë që Maqedonia të bëhet një vend që prodhon fqinjësi të mirë e që kujdeset për të gjithë qytetarët e saj njësoj e barabarësisht, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, religjioze e krahinore, një vend që u ofron mirëqenie materiale të gjithë qytetarëve të saj pa marrë parasysh përkatësinë etnike e fetare?

Se është nevoja që këtij populli e veçanërisht popullit shqiptar t’i kthehet shpresa e humbur, këtij populli i cili në pjesën dërmuese të tij është me përcaktim perëndimor e evropian dhe i cili ka vullnet të mirë ta japë kontributin e tij për zhvillimin e vendit, por që nuk mund të pajtohet me fyerjet e shumta që ia bëjnë institucionet dhe me ngathtësinë e faktorit politik shqiptar. Duhet të thuhet se në këtë gjendje si jemi nuk është mirë. Nuk janë shqiptarët lojë, siç na ndodh të dëgjojmë shpesh tallje në turmat maqedonase, duke na paraqitur si njerëz inferiorë.

Ky vend ka nevojë për politikanë me vizion, me vullnet të mirë, të liruar nga paragjykimet dhe stereotipet e së kaluarës, ky vend duhet t’i angazhojë njerëzit e pakompromituar, që do të dinë ta zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit, pa hile, pa ndërkëmbëza, pa shantazhe në të gjitha segmentet e parapara në këtë dokument. Vetëm kështu do të mund të themi se jetojmë në Evropë, të qetë e të lirë. Vetëm kështu Maqedonia mund të shpresojë se do të radhitet midis shteteve të zhvilluara e të kulturuara./albeu.com/
Shtuar më 14/08/2014, ora 15:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori