“Marko Zvrlevski mban peng reformat në gjyqësor”
Pëlqej
Pozita e Prokurorit Publik paraqet një hallkë shumë të rëndësishme për funksionimin e shtetit ligjor, dhe politizimi i kësaj figure e bën të pamundur procesin e reformave, theksojnë ekspertët juridikë, duke komentuar bllokimin e shkarkimit të Prokurorit Publik Marko Zvrlevski, për shkak të polemikave të stërzgjatura në Parlament nga ana e deputetëve të opozitës maqedonase OBRM-PDUKM, e cila drejtohet nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski.


Margarita Caca-Nikollovska, ish-gjykatëse në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, për Radion Evropa e Lirë thotë se në bazë të ligjeve që përcaktojnë kompetencat e Prokurorit Publik, ai mundet të pengojë hetimin e rasteve që ndërlidhen me përfshirjen e ish-zyrtarëve të lartë të shtetit në vepra kriminale.

Nikollovska thotë se përderisa në krye të Prokurorisë Publike qëndron një njeri, i cili siç u mësua nga bisedat përgjuara, se ai punon sipas direktivave të udhëhqësve të një partie politike, është e vështirë të realizohet procesi i reformave në sistemin gjyqësor, reforma të cilat i ka paralajmëruar Qeveria edhe në bazë të planit të ashtuquajtur 3-6-9, në funksion të përshpejtimit të procesit të integrimeve euroatlantike.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike, Bashkim Selmani, duke komentuar procesin e shkarkimit të Prokurorit Publik, Marko Zvrlevski, që pritet t’i hap rrugë emërimit të një Prokurorit ri Publik, thekson se përderisa ka indice se liderët e partive të caktuara politike kanë kryer vepra kriminale, qoftë nga tabori i opozitës ose atyre që janë në pushtet, në krye të këtij institucioni është e nevojshme të vijë një personalitet i jashtëm.

Deputetët e partive në pushtet, të premten kanë vendosur të mos u përgjigjen kolegëve të tyre nga opozita gjatë debatit për shkarkimin e Prokurorit Publik, duke theksuar se çdo fjalë në mbrojtje të Prokurorit Publik Marko Zvërlevski është në mbrojtje të krimit.

Përderisa, deputetët e OBRM-PDUKM-së, të drejtuar nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski thonë se nisma për largimin e Prokurorit Publik Marko Zvrlevski nga detyra është për motive politike, por gjithashtu edhe në kundërshtim me kodin zgjedhor, pasi dispozitat e tij, sipas OBRM-PDUKM-së nuk lejojnë shkarkime dhe emërime të funksionarëve pas ditës së shpalljes së zgjedhjeve.

Ndryshe, sistemi gjyqësor mbetet një nga sferat më të kritikuara nga faktori ndërkombëtar, duke theksuar nevojën e realizmit të reformave rrënjësore në gjyqësor. /albeu.com/
Shtuar më 11/08/2017, ora 20:07

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori