Maqedonisë mund t'i përsëritet Bukureshti në Lisbonë
Pëlqej
NATO
Maqedonia pritet të përjetojë edhe një fiasko në drejtim të integrimit të vendit në strukturën më të fuqishme botërore të sigurisë. Të premten dhe shtunën, pra më 19 dhe 20 nëntor, do të mbahet samiti i radhës i NATO-s në Lisbonë të Portugalisë ku do të marrë pjesë delegacioni i Maqedonisë i udhëhequr nga presidenti Gjorge Ivanov, ministri i punëve të jashtme Antonio Milloshoski dhe ai i mbrojtjes Zoran Konjanovski. Në agjendën e publikuar nga NATO-ja për përmbajtjen e Samitit nuk parashihet dhënia e ftesës Maqedonisë për anëtarësim në këtë Aleancë. Arsyet janë të njohura që nga Samiti i kaluar i Bukureshtit në të cilin Greqia me të drejtën e vetos, nuk lejoi që Maqedonisë t’i jepet ftesë anëtarësimi së bashku me Shqipërinë dhe Kroacinë për shkak të moszgjidhjes së çështjes së hapur të emrit. Për më tepër, kësaj radhe në Samit nuk do të merr pjesë kryeministri Nikolla Gruevski edhe pse në mbledhjet e këtilla zakonisht marrin pjesë shefat e Qeverisë. Nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), sa i përket pritjeve të tyre nga ky Samit, thirren në deklaratat e dhëna të mëparshme të ministrit të jashtëm Antonio Milloshoski në mediet e vendit. ”Presim që në kuadër të diskutimeve për konceptin strategjik të Aleancës, në pjesën e zgjerimit të NATO-s e cila nuk ka të bëjë vetëm me Maqedoninë por edhe vendeve të tjera të regjionit, do të ishim të kënaqur sikur Maqedonia të jetë pjesë e këtij diskutimi dhe presim që disa vende mike ta iniciojnë këtë çështje dhe vetë Aleanca të njoftohet me ndodhitë më të reja në Maqedoni dhe me antarësimin të cilin ne e meritojmë”, ka thënë ministri Milloshoski në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Analistët dhe njohësit e rrethanave diplomatike vlerësojnë se pa marrë parasysh se kush, ose sa vende lobojnë pro anëtarësimit të Maqedonisë, ajo në mënyrë të prerë nuk do të kyçet në NATO pa mos e zgjidhur çështjen e emrit.

Ndërkohë disa senatorë amerikanë, në një letër drejtuar Presidentit të SHBA-së, Barak Obama, Sekretares së shtetit, Hillari Klinton, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fog Rasmusen, kanë kërkuar që Maqedonia në Samitin e Lisbonës të marrë ftesë për anëtarësim në Aleancë.
Shtuar më 17/11/2010, ora 19:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori