Maqedonia të kuptojë se Serbia nuk është Jugosllavi
Prishtinë 9 qershor- Destabilizimi i Maqedonisë vjen nga vetë politikat e papërshtatshme për kontekstin lokal dhe kompozicionin demografik.

Maqedonia ndjek politika me koncepte mjaft të vjetra dhe nuk është e gatshme në rrafshin praktik për përfshirjen e shqiptarëve në nivelin e angazhimit politik kombëtar, por vetëm si minoritet dhe kjo përjashton mundësinë e funksionimit të mirëfilltë të Maqedonisë”.

Kështu thotë Abit Hoxha, hulumtues dhe analist nga Prishtina, që merret me çështjet e sigurisë, në intervistë për agjencinë e lajmeve “Zhurnal.

Hoxha shpjegon se; “këmbëngulja e maqedonasve për emrin, nuk po sjell probleme vetëm në nivelin ndërkombëtar dhe të integrimit, por po sjell një problem tjetër që është ndoshta më shumë i rëndësishëm. Ky problem është ekskluziviteti i maqedonasve si komb shtet-formues në Maqedoni, ndërsa ky proces po i përjashton shqiptarët si të tillë”.

Hoxha që është edhe ligjërues i të Drejtave të Njeriut e Sektorit të Sigurisë si dhe ekspert i komunikimit me përvojë në organizatat qeveritare dhe joqeveritare në Kosovë, ka magjistruar në Universitetin e Durham për Politikat e Mbrojtjes, Zhvillimit dhe Diplomacisë dhe gjithashtu për Raportim të Luftës dhe Paqes në Institutin KIJAC.

Si autor i disa publikimeve akademike, Hoxha thotë se: “Maqedonia nuk përbën përjashtim dhe kërcënimet nga jashtë nuk janë serioze, por kërcënimi i brendshëm i kanoset Maqedonisë nga mosfunksionimi i shtetit të drejtë dhe mos-barazisë”.

Zhurnal: Sa mund ta destabilizojë Maqedoninë, stagnimi në procesin e integrimet në NATO dhe BE shkaku i bllokimit nga Greqia fqinje?

Abit Hoxha: Problemi i Maqedonisë me Greqinë nuk mund të sjellë destabilizim të brendshëm në kuptimin e drejtpërdrejtë por gjithsesi sjell telashe në arenën ndërkombëtare dhe poashtu ka reflektim në punët e brendshme pastaj. Qeveria e Maqedonisë shihet si e paaftë për të rregulluar një çështje të tillë dhe pastaj edhe nënvlerësohet në nivelin e brendshëm. Destabilizimi i Maqedonisë vjen nga vetë politikat e papërshtatshme për kontekstin lokal dhe kompozicionin demografik. Maqedonia ndjekë politika me koncepte mjaft të vjetra dhe nuk është e gatshme në rrafshin praktik për përfshirjen e shqiptarëve në nivelin e angazhimit politik kombëtar por vetëm si minoritet dhe kjo përjashton mundësinë e funksionimit të mirëfilltë të Maqedonisë. Është esenciale që shqiptarët të jenë pjesë e të gjitha instancave shtetërore dhe të jenë pjesë shtet-formuese e jo në trajtën e minoritetit etnik në Maqedoni.

Zhurnal: A mendoni se shqiptarët do të vazhdojnë të presin Shqiptarët duan integrime e maqedonasit janë kapur nga emri veprim që ka sjellë stagnim?

Abit Hoxha: Besoj se të gjithë duan integrime por maqedonasit duan integrime sipas tyre. Këmbëngulja e Maqedonasve për emrin nuk po sjellë probleme vetëm në nivelin ndërkombëtar dhe të integrimit por po sjell një problem tjetër që është ndoshta më shumë i rëndësishëm. Ky problem është ekskluziviteti i maqedonasve si komb shtet-formues në Maqedoni ndërsa ky proces po i përjashton shqiptarët si të tillë. Shqiptarët tanimë janë faktor stabiliteti në Ballkan dhe si të tillë duhet trajtuar nga shtetet si Maqedonia, Serbia por edhe Mali i zi.

Zhurnal: Nga kush mendoni se Maqedonisë mund t’i kërcënohet më shumë siguria?

Abit Hoxha: As Maqedonia e asnjë shtet në Ballkan tanimë nuk ka kërcënime nga jashtë. Maqedonia nuk përbën përjashtim dhe kërcënimet nga jashtë nuk janë serioze por kërcënimi i brendshëm i kanoset Maqedonisë nga mosfunksionimi i shtetit të drejtë dhe mos-barazisë. Problemi i tensionit etnik dhe përjashtimit të shqiptarëve nga diskursi publik, jeta akademike dhe politike në nivel të njëjtë me maqedonasit është sfida kryesore për sigurinë e Maqedonisë. Ky kërcënim nuk është ekzistent permanent por varet shumë nga politikat e Maqedonisë dhe krijimit të opinionit publik nga vetë elitat politike të Maqedonisë. Presioni që bëhet nga shumica Maqedonase në nivelin e diskurisit publik është katalizator për këtë kërcënim. Për shembull mospërfshirja e gjuhës shqipe si gjuhë kushtetuese indikon pozitën sekondare të shqiptarëve në këtë kontekst. /albeu.com/
Shtuar më 09/06/2013, ora 10:41

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori