Maqedonia në mizeri dhe varfëri
Branko Cërvenkovski
Lideri i bllokut opozitar dhe LSDM në Maqedoni, Branko Cërvenkovski deklaroi mbrëmë se pas 6 viteve të qeverisjes aktuale, qytetarët po jetojnë të frikësuar, papunësi rekorde, mizori dhe varfëri dhe situatë katastrofale.

"Këtë aktrim kolektiv të një gjendje normaliteti në kushte jonormale duhet ta ndërpresim. Ne kemi nisur një betejë kundër frikës, dhe për të vërtetën, betejë për të ardhmen e vendit", theksoi Cërvenkovski në një takim me qytetarët në Kavadarci.

Sipas tij, jeta e qytetarëve dita ditës po shtrenjtohet, ndërsa çmimet e produkteve themelore dhe taksave vazhdimisht po rriten.

"Gjatë gjashtë viteve, energjia është rritur për 45 për qind, ngrohja 100 për qind, nafta dhe benzina për 30 për qind, drunjt për ngrohje 60 për qind, mielli për 40 për qind, buka për 25 për qind, dhe të gjitha artikujt e tjerë. Dhe sa jemi të varfër për këtë nuk ka nevojë Ente të Statistikave, por të shkojmë nëpër dyqane", theksoi Cërvenkovski.

Sipas tij, Qeveria gjatë katër muajve ka hequr ndihmën sociale për mbi 7500 familje të varfëra. Ai nënvizoi se gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE janë 120 mijë kompani me llogari të bllokuara. Cërvenkovski akuzoi se në Maqedoni qeverisja po aplikon sistemin e njëmendësisë. "Pyetja kyçe është se a duhet që ky vend i shpallur si kampion i mizerisë të harxhojë para për përmendore.

Kjo Qeveri nuk e bën këtë se është adhuruese e madhe e artit apo se nuk i dijnë hallet e qytetarëve. Qëllimi i tyre i vetëm është se këtë e bëjnë për kriminalitet me përmendoret. Andaj kemi përmendore më të paguara në botë", theksoi lideri i LSDM-së.
Shtuar më 03/02/2012, ora 11:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori