Maqedonia lider në rajon për lindjet, meritat i takojnë popullatës shqiptare
Derisa shtetet e tjera të Ballkanit shënojnë ulje të natalitetit, Maqedonia vitin e kaluar shënoi rritje. Gjendja alarmante paraqitet sidomos në Kroaci. Demografi Sjepan Shterc në lajmet e HRT-së pohoi se rënia e natalitetit dhe largimi i të rinjve nga Kroacia, janë ndër problemet kryesore të këtij shtetit. Ai paralajmëroi se sivjet pritet që në Kroaci nataliteti të shënon ulje madje për 20%.

Ndersa shtetet fqinje kanë pasojën e zvogëlimit të natalitetit, në Maqedoni viteve të fundit shënohet trend pozitiv.

Mediat proqeveritare në Maqedoni, rritjen e natalitetit e përshkruajnë si meritë e qeverisë dhe projektit për fëmijën e tretë, shkruan Zhurnal.

Këto media thonë se qeveria e Maqedonisë demografinë e ka vënë në prioritet të lartë për ardhmërinë e shtetit. Duke krahasuar statistikat e 55 viteve të kaluara, numri i lindjeve për grua është zvogëluar në 63%. Televizioni “Sitel” raporton se masat qeveritare që filluan të zbatohen nga vitit 2008, po japin rezultate.

Sipas televizionit, pikërisht lindjen e rasteve me tre fëmijë e mban natalitetin dhe e rrisin fertilitetin në vend.

“Në Maqedoni, gjatë vitit 2008 lindën 22.945 bebe, nga të cilat 2677 fëmijë i tretë. Gjatë vitit 2014 kanë lindur 23.674 nga të cilët 3715 si fëmijë i tretë në familje. Rritja e fëmijëve të tretë të lindur brenda kohës ka shkuar në 1038 brenda 7 vitesh, ose me përqindje 39. Maqedonia është rast suksesi dhe shembull për shtetet fqinje”, njoftoi “Sitel”.

Por duhet theksuar se nataliteti në Maqedoni është në rritje të vazhdueshme dhe vetëm në pesë vitet e fundit lindjet janë shtuar për 3.3 për qind, por rritja u përshkruhet vendbanimeve shqiptare të Maqedonisë veriperëndimore.

Në vitin 2008 popullata shqiptare ka marrë pjesë me 31.8%, në numrin e përgjithshëm të lindjeve ndërsa në vitin e kaluar kjo përqindje ka qenë 35.1%.

Enti i Statistikave të Maqedonisë në raportin e publikuar për gjysmën e parë të vitit 2015. thotë se komunat me më shume lindje janë: Tetova, Çairi, Kumanova, Saraji, Studeniçani, Struga, Shuto Orizarja, Bogovina, ndërkaq, komunat me natalitet të ulët janë: Manastiri, Karposhi, Prilepi, Velesi, Koçani, Ohri, Kisella Voda, Kërçova, Demir Hisari dhe disa qytete të tjera të Maqedonisë lindore dhe qendrore.

Alarmimi i situatës për natalitetin bëhet tani, kur edhe pritet që Qeveria të publikojë Strategjinë për shtimin e popullsisë, të cilin vitin e kaluar e përgatiti Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” me kërkesë të Qeverisë. Sipas të njëjtave statistika, lindjet nga etnia maqedonase kanë rënë nën 50%, për rreth 60 vjet.

Sipas Entit Shtetëror për Statistika, më 2013-të kanë lindur 11.602 maqedonas, 7.488 shqiptarë, 1.088 turq dhe 1.226 romë. Nga këto lindje shihet se vetëm për 5 vjetët e fundit ka një rënie rreth 5% e lindjeve tek maqedonasit. /albeu.com/
Shtuar më 03/01/2016, ora 09:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori