Maqedonia e Veriut sot mban zgjedhjet e jashtëzakonshme
Dita e sotme përkon me ditën e zgjedhjeve për Maqedoninë e Veriut. Këto zgjedhje janë të veçanta pasi do mbahen teksa COVID-19 vijon të infektojë e të marrë jete çdo ditë.

Megjithatë, autoritetet, Qeveria teknike dhe Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) japin garanci se këto zgjedhje nuk do të ndikojnë në rritjen e numrit të të infektuarve me koronavirus.

Këto zgjedhje janë të parat që mbahen në mes javë (e mërkurë), e jo si herat e kaluara që janë mbajtur gjatë ditës së djelë. Për dallim nga herat e kaluara, këto zgjedhje do të mbahen për 14 orë, e jo si më herët për 12 orë. Nga ora 07:00 deri ora 21:00 qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë mundësi të votojnë për partinë apo listën që ata i besojnë.

Në listën zgjedhore ka 1,814,263 votues dhe në garë janë 15 mundësi që qytetarët të zgjedhin. Pra, 15 mundësi në formë koalicioni dhe parti politike që garojnë për 120 vende në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë për katër vitet e ardhshme.

Përndryshe, këto zgjedhje janë si pasojë e shpërndarjes së Kuvendit të Maqedonisë me iniciative të pushtetit të atëhershëm me arsyetim dështimin për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian. Shteti për momentin udhëhiqet nga qeveri teknike prej muajit janar 2020.

Shtuar më 15/07/2020, ora 08:09

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori