Nesër zgjidhet kreu i ri i SPAK, ja si do të zhvillohet procesi

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të nisë këtë të premte intervistat me tre kandidatët për kreun e ri të SPAK, i cili do të marrë drejtimin e kësaj strukture që heton krimin dhe korrupsionin në nivele të larta.

Bëhet me dije se prokurori Adnan Xholi do të jetë i pari që do të paraqesë platformën para anëtarëve të KLP dhe ë pas do të vijojë me platformën e prokurorit Altin Dumani. Ndërsa Edvin Kondili do të jetë kandidati i tretë.

Ndërkohë pas dëgjimit të tre prokuroreve, anëtarët e KLP-së përmes një votimi të hapur, do shprehin vullnetin e tyre për drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme.

Në lidhje me këtë, ambasadorja amerikane Yiri Kim, deklaroi dy ditë më parë se “procesi s’duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar ose manipuluar.” Ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi se është KLP që zgjedh kreun e SPAK dhe jo qeveria, opozita apo ambasada e SHBA.

Kujtojmë se kreu aktual i SPAK, Arben Kraja, përfundon mandatin në datën 19 dhjetor.

SPAK-u së bashku me Gjykatën speciale, konsiderohen si dy organet kyçe për të shënuar një kthesë në luftën ndaj korrupsionit në Shqipëri.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të ketë si objektiv korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe krimin e organizuar. Prokuroria e Posaçme i kryen funksionet e saj në mënyrë të pavarur, nëpërmjet prokurorëve të posaçëm, të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.