Maqedonia do të marrë edhe 50 milionë euro nga BB-ja
Ngozi Okonjo-Iweala
(UPDATE) Republika e Maqedonisë edhe këtë vit do të marrë rreth 50 milionë euro nga Banka Botërore (BB), por shumë më i rëndësishëm dhe më thelbësor është transferi i diturive që do të na barten për përmirësimin e kapacitetit të institucioneve në shtet dhe dizejnimin e reformave. Këtë e theksoi zëvendëskryeministri dhe ministër i Financave, Zoran Stavreski pas takimit të sotëm me drejtoreshën udhëheqëse të Bankës botërore, Ngozi Okonxho-Iveala në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë.

Ai theksoi se një pjesë e mjeteve do të dedikohen për mbështetje buxhetore, për projektin rajonal për sigurimin nga fatkeqësitë natyrore dhe katastrofa të ndryshme, si dhe për mbështetje për realizimin e projektit në sektorin energjetik, vazhdimin e projektit për kadastrën me Drejtorinë për punë pronësore-juridike dhe për projekte të tjera investuese.

"Mbtetet të arrihet marrëveshje për një pjesë të projekteve dhe për vitet në vazhdim varësisht nga agjenda e Qeverisë dhe nga nevoja për përforcimin e konkurrencës së ekonomisë dhe përmirësimin e performansave të ekonomisë së Maqedonisë", tha zëvendës-kryeministri Stavreski.

Me mbështetjen e Bankës Botërore, siç theksoi, këtë vit do të fillojë Projekti për transfere të kushtëzuara në të holla, i cili parasheh sigurimin e mbështetjes financiare prej 1.000 denarëve në muaj për familjet e varfra dhe marrësit e ndihmës sociale nën kushtin që fëmijët t'i dërgojnë rregullisht në shkollë.

Okonxho-Iveala theksoi se është shumë e kënaqur nga përparimi që e ka arritur Maqedonia gjatë 10 viteve të kaluara dhe shtoi se Banka Botërore do të sigurojë mbështetje për vendin në kahje të ndërtimit të infrastrukturës avancuese, përmirësimin e kapaciteteve njerëzore, integrimit rajonal dhe hapjen e tregjeve, si dhe për inkuadrimin në BE me përvoja dhe dituri.

"Maqedonia është reformiste e dalluar. Raporti i Douing Business e rangon atë në vendin e 38-të në botë dhe vendi më i mirë në tërë Ballkanin. Është arritur përparim i dukshëm edhe lidhur me sigurimin e të drejtave pronësore përmes zhvillimit të sistemit të kadastrit, i cili paraqet shembull në rajon", tha Okonxho-Iveala.

Ajo shprehi kënaqësi nga progresi që e ka bërë Kadastra gjatë pesë viteve të kaluara dhe tha se do të dëshironte ta ftojë ekipin nga Maqedonia që t'i bartë përvojat e veta në vende të tjera. Është i kënaqshëm, siç tha, edhe përmirësimi i gjendjes së popullatës rome, e posaçërisht përfshirja më e madhe e fëmijëve romë në sistemin arsimor. Sipas saj, krijimi i vendeve të reja të punës është një nga mënyrat kyçe për pakësimin e varfërisë, njërit prej problemeve kryesorë në rajon.

"Fokusi i programit tonë është si të krijohet mjedis i cili do të nxitë pakësim të varfërisë, e kjo bëhet me krijimin e vendeve të reja të punës. Për këtë arsye e mbështesim zhvillimin e këtillë, ndërsa edhe IFC, pjesa e Bankës botërore e cila punon me sektorin privat, ka instrument të vetin, i cili u jep mbështetje ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, me atë që siguron mjete për fillim të biznesit personal", theksoi Okonxho-Iveala.

Në takimin e sotëm, siç u theksua, u bë fjalë për reformat në arsim, përmirësimin klimës afariste dhe pakësimin e papunësisë dhe varfërisë, si dhe për të gjitha aspektet e agjendës reformuese të Qeverisë për periudhën e ardhshme trevjeçare dhe në plan më afatgjatë. U bisedua edhe për implementimin e disa projekteve të cilat do të ndihmojnë për zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe të realizohen investime të caktuara, por edhe të zbatohen reforma të rëndësishme strukturore të cilat do ta përmirësojnë konkurrencën në tërësi.

Bashkëpunimi ndërmjet Bankës Botërore dhe Maqedonisë zgjat dy dekada dhe për atë periudhë vendit i janë ndarë më shumë se një miliardë dollarë në formë të kredive dhe rreth 190 milionë dollarë në formë të granteve.
Shtuar më 12/01/2011, ora 16:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori