“Kemi edhe 6 ditë bukë”, politikani shqiptar feston sot 75-vjetorin e lindjes, për cilin bëhet fjalë

Ylli Bufi lindi më 25 maj të vitit 1948 në Tiranë dhe sot feston ditëlindjen e tij të 75. Ka qenë deputet, ministër, nënkryetari Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministër i Shqipërisë.

U diplomua në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dega Kimi Industriale në vitin 1972. Më pas mori gradën Doktor i Shkencave.

Në qershor të vitit 1991 zgjidhet ministër i industrisë së lehtë dhe ushqimit. Deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga viti 1991 deri në vitin 2009. Nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë ne vitin 2005-2009, kryetar i Komisionit parlamentar të Ekonomisë. Anëtar i disa forumeve drejtuese të Partisë Socialiste shqiptare. Ministër ekonomie në vitin 1997.

Kryeministër i Qeverisë së Stabilitetit, qeveri e formuar si rezultat i marrëveshjes midis forcave politike në vend, në maj të vitit 1991. Qeveri e Stabilitetit, ishte qeveri me bazë të gjerë dhe ku për herë të parë merrnin pjesë ministra të opozitës, Qeveria e Stabilitetit e nxori vendin nga izolimi i gjatë komunist, duke e bërë Shqipërinë anëtare të disa organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare.

“Shqipëria ka rezervë edhe për 6 ditë bukë”. Kjo thënie në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Stabilitetit nga kryeministri Ylli Bufi do të mbetej gjatë në kujtesën e shqiptarëve. Pasi kishte kaluar pragun e diktaturës, shqiptarët duhej të përballeshin edhe me “zinë e bukës”.

Ishte viti 1991, Partia Demokratike kishte tërhequr ministrat e saj nga Qeveria e Stabilitetit dhe kërkonte krijimin e një qeverie teknike, që do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja politike. Në këtë situatë qeveria e mbetur vendos të mbajë një mbledhje, e cila do të transmetohej deri natën vonë në ekranin e TVSH-së. Aty do të vinte edhe thënia shokuese e kryeministrit të kohës.

Në librin e tij me kujtime “Në fillimet e tranzicionit- Qeveria e Stabilitetit, një marrëveshje politike apo një kompromis i përkohshëm?”, botim i “UET-Press”, ish-kryeministri Ylli Bufi i rikthehet edhe një herë këtij momenti:

“E konsiderova detyrë dhe përgjegjësi nga ana ime që në mbledhjen e qeverisë ta paraqisja me saktësi dhe transparencë gjendjen ushqimore.

Këtë bënë dhe të gjithë ministrat, me bindjen se prishja e qeverisë në atë situatë shumë të vështirë ishte një veprim me pasoja tepër të rënda. Në këtë kontekst ishte dhe shprehja se qeveria e re do të kishte një rezervë vetëm për 6 ditë bukë”, thotë ish-kryeministri.