Maqedoni, festohet Bajrami
Që nga orët e para të mëngjesit besimtarët mysliman iu drejtuan xhamive për faljen e namazit të Bajramit. Manifestimi kryesor u mbajt në xhaminë e Mustafë Pashës në Shkup, me pjesëmarrjen e një numri të konsiderueshëm besimtarësh, njofton Alsat-M.

Atyre iu drejtua kryetari i BFI-së Sulejman Rexhepi, i cili tha se Fitër Bajrami është festë e madhe e mëshirës, e faljes, vëllazërimit dhe paqes.
“Shfrytëzoj rastin që edhe njëherë të gjithë besimtarëve mysliman kudo që gjenden të ju përcjelli urime të përzemërta për festën e Fitër Bajramit. Dashtë Zoti që të gjithë myslimanët kudo që janë ta përjetojnë këtë festë me kënaqësi duke vizituar njëri tjetrin, duke shtrirë dorën njëri-tjetrit...”, deklaroi Sulejman Rexhepi, kryetar i BFI-së.

Edhe imami i xhamisë Mustafë Pashë gjatë fjalës së tij tha se Fitër Bajrami është festa e devotshmërisë, solidaritetit, vëllazërisë dhe barazisë sociale.
“Gjatë muajit të Ramazanit, përmes Kuranit, agjërimit dhe durimit përmes mirësisë dhe humanitetit kuptuam filozofinë e këtij muaji të shenjtë, i cili shërben si udhërrëfyes në drejtim të mënjanimit të të gjitha dukurive desktruktive shoqërore pasi feja islame predikon dashurinë përball urrejtjes, moralin kundër amoralit, tolerancën përball kërcënimeve, respektin përballë dhunës, kujdesin ndaj neglizhencës dhe solidaritetin përballë egoizmit”, tha Imami i xhamisë Mustafë Pashë.

Pas faljes së namazit, besimtarët shkëmbejnë vizita në familjet e të afërmve dhe miqve për të uruar një vit më të mbarë. Kremtimi i kësaj feste u jep besimtarëve mysliman një emocion të veçantë dhe një frymë të re. Gjatë kësaj feste myslimanët japin shembullin e bashkimit. Dita e Bajramit paraqet një ditë paqeje dhe gëzimi. Vetë fjala ‘Bajram’ do të thotë gëzim, begati, kënaqësi, hare. Një prej të veçantave të kësaj feste ishte edhe dhënia e kontributit në të holla ose ushqime, ose siç njihet në fenë islame ndarja e Zekatit ose Fitrit, për të varfrit dhe familjet në nevojë. /albeu.com/
Shtuar më 30/08/2011, ora 13:31

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori