Paralajmërimi për masa të reja në Kosovë, kur pritet vendimi?

Rritje drastike e rasteve me Covid-19 është regjistruar sot në Kosovë.

Janë gjithsej 152 persona që kanë rezultuar pozitiv vetëm në 24 orët e fundit.

E, deri sa në Kosovë ky numër nga dita në ditë po rritet, vendet e rajonit po raportojnë me mijëra të infektuar e qindra të vdekur nga ky virus.

Vetëm dje në Shqipëri janë regjistruar mbi një 1200 raste të reja dhe kanë vdekur 4 pacientë, deri sa në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 1375 raste të reja me koronavirus, ndërsa janë detektuar edhe 33 raste të reja me variantin Omicron, shkruan FrontOnline.

Si shkak i kësaj, në Kosovë tashmë është paralajmëruar edhe ndryshimi i masave kundër Covid-19.

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Rifat Latifi, gjatë ditës së djeshme ka deklaruar se në ditët në vijim disa masa do të shtrëngohen më tepër.

“Kemi numër në rritje të rasteve, por është i vogël krahasuar me shtetet tjera në botë. Në ditët në vazhdim do të shtrëngohen disa masa më tepër”, është shprehur ministri Latifi.

Mirëpo, nuk ka treguar se cilat masa do të ndryshojnë.

Front Online, për këtë çështje ka kërkuar përgjigje në Ministrinë e Shëndetësisë, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Por, a do të pajtohen me masat e reja, Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës?

Asociacioni i Komunave pro masave të reja, kërkojnë që të merret edhe mendimi i tyre

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë për FrontOnline se masat e reja të paralajmëruara nga ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, janë të mirëpritura nga ta, pasi që është në pyetje jeta e qytetarit.

Por, ai ka një kërkesë për nivelin qendror.

“Asociacioni dhe kryetarët e komunave gjithmonë i kanë përkrah masat të cilat e shpëtojnë jetën e qytetarëve të Kosovës . Gjithmonë kërkojnë që masat të jenë në proporcion me realitetin, për këtë arsye ne kërkojmë që të kemi një bashkëbisedim të sinqertë dhe korrekt me nivelin qendror ashtu siç e patëm krijuar një traditë më herët”, është shprehur Ibrahimi për FrontOnline.

Ai, ka fajësuar Qeverinë që po anashkalohen në procesin e konsultimeve.

“Para hartimit të masave të reja kryetarët e komunave të konsultohen sepse tash këto dy apo tre muajt e fundit është duke shaluar procesi i konsultimeve me komuna. Përpara, kemi pas konsultime në baza dy javore, mirëpo tash nuk kemi”, ka thënë ai.

Sogojeva për masat e reja: Nuk na nevojitet bankrotimi

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, ka thënë se shtetit të Kosovës nuk i nevojitet bankrotimi dhe se masat e reja duhet ta kenë parasysh jo vetëm shëndetin e qytetarit, pro edhe atë ekonomik.

“Ne e kemi thënë gjithmonë kur është në pyetje shëndeti ne e kuptojmë gjërat. Por, gjithmonë duke e ruajtur edhe shëndetin ekonomik, prandaj nëse një vendim pa u konsulutu me neve asnjëherë nuk e pranoj, asnjë vendim nuk e pranojmë pa u konsultu me neve, pavarësisht edhe i mirë nëse është, sepse jemi marrë vesh që të konsultohemi të gjejmë mesin duke e ruajtur edhe shëndetin edhe shëndetin ekonomik. Nuk na vyn me shku në bankrotim, prandaj jemi për atë që të mos merren vendime paushallë pa u konsultua me neve”, është shprehur Sogojeva për FrontOnline.

Ndërsa, ka deklaruar se çfarëdo vendimi që do të ndërmerret e që nuk është i mirë do ta kundërshtojnë.

“Nëse del një vendim dhe ne e shohim që nuk është i mirë atëherë mblidhemi dhe nuk përjashtohet me reagua ashpër ndaj atyre vendimeve, nuk e di se çka do të del por nuk përjashtohet mundësia derisa nuk ka arsye”, ka pohuar ai.

Në 24 orët e fundit në Kosovë nuk është regjistruar asnjë rast i vdekjes nga Covid-19, ndërsa janë shëruar vetëm 20 pacientë.

Kurse, janë vaksinuar 4120 qytetarë.


Shtuar 6.01.2022 19:52

Tags: