"Lufta" për Strugën: Merko, Pollozhani apo Labënishti?!
Informatat e shumta të kohëve të fundit me emrat e mundshëm për kandidatë për kryetar të komunës së Strugës në zgjedhjet e ardhshme lokale, hapën shumë dilema dhe paqartësi në opinion, por për këtë çështje fjalën e fundit do ta thonë organet e larta partiake të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), shkruan Zhurnal.

Si kandidatë potencial llogariten kryetari aktual Ramiz Merko, ish ministri i Arsimit Aziz Pollozhani dhe deputeti aktual i “integristëve”, Arben Labënishti. Merko deklaroi se nuk e mohon faktin që do të kërkojë mandat të tretë, por se për këtë do të vendosin organet e larta të partisë. Ai thekson se i bën shumë hapur bisedat, ndërsa për takimin e disa ditëve më parë me liderin e partisë Ali Ahmeti thotë se ka qenë i rregullt.

“Biseduam për situatën aktuale politike. Diskutuam situatën e kandidimeve ose daljes nëpër portale të shumë kandidatëve në Strugë sidomos nga BDI-ja. Mua nuk më intereson se kush del nga partitë tjera por nga subjekti që unë e udhëheq këtu në Strugë. Çdo kandidat tjetër që del i vetëshpallur krijon konfuzion dhe në një farë mënyre ia ulë vlerën, degës, anëtarësisë dhe kryetarit, sepse menjëherë njerëzit drejtohen diku tjetër që nuk është në rregull”, deklaroi Merko.

Ai ka hedhur poshtë edhe spekulimet se ka pasur mbledhje të kryesisë së partisë dhe është votuar për të dhe Pollozhanin, ndërsa thekson se kujt do që ti dalë emri si kandidat i mundshëm pa konfirmim të partisë është mirë ta demantojë ose konfirmojë atë.

“Kujt do që ti dalë emri nëpër media për kandidaturë është mirë që ta demantojë apo ta konfirmojë. Sepse, nuk mundet të dalë në opinion dhe të mbesë ashtu duke mos folur dhe të na vijë mirë. Unë për vete kam thënë që do të kërkoj mandatin e tretë”, ka thënë Merko.

Ndërsa, Aziz Pollozhani shpreh hapur qëndrimin e tij se Struga ka nevojë për menaxherë të rinj dhe ide të reja por që asnjëherë nuk ka thënë se ai duhet të jetë kandidati. Sipas tij, kandidat duhet të jetë ai që do të ketë ide dhe projekte më të mira për të ardhmen e komunës.

“Ende është herët për të bërë përzgjedhjen e kandidatëve. Është evidente që partia ka edhe ngarkesa të tjera që kanë prioritet. Në momentin e duhur do të vendoset edhe për këtë çështje. Në parim duke marrë parasysh rrjedhat e përgjithshme por dhe punën e deritashme. Strugës i duhen personalitete të reja dhe ide të reja sepse dy mandate u konsumuan. Është evidente se qytetarët kanë nevojë për ide të reja për menaxhimin e komunës”, deklaroi Aziz Pollozani.

Nga ana tjetër deputeti aktual i BDI-së nga Struga, Arben Labënishhti ka bërë të ditur se asnjëherë nuk ka deklaruar në media se dëshiron të jetë kandidat për Strugën. Ai vlerëson se kjo çështje u takon strukturave partiake.

“Përzgjedhja e kandidatëve për kryetarë të komunave është detyre e strukturave të partisë. Aktualisht jam deputet i BDI-së dhe përpiqem në mënyrë sa më korrekte të bëjë punën time brenda kornizave të deputetit”, thotë deputeti Labënishti.

Ndryshe, kohëve të fundit në media dhe portale të ndryshme informative u spekulua me emrat e Ramiz Merkos, Aziz Pollozhanit dhe Arben Labënishtit se gjoja secili nga këta po pretendon kandidaturën e BDI-së për kryetar të komunës të Strugës. Por, një gjë të tillë e ka përgënjeshtruar ditë më parë zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani. Ky i fundit deklaroi se partia ende s’ka vendosur për asnjë kandidat të mundshëm në asnjë komunë për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Shtuar më 29/09/2012, ora 13:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori