Lufta e gjeneratave brenda partive
Xhemaili nga BDI-ja, Lloga nga PDSH-ja dhe Ramadani nga DR-ja shprehen të vetëdijshëm për sfidat që do t’i kenë brenda partive të tyre, por paralajmërojnë një vrull të ri, që ngërthen profesionalitetin, kulturën dhe frymën e re që duhet instalohet në kuadër të subjekteve politike ku veprojnë.

“Politika shqiptare ka nevojë për politikan të rinj dhe Bashkimi Demokratik për Integrim çdoherë iu ka dhënë hapësirë të rinjve. Shumë anëtarë të forumit të rinisë drejtojnë dikaster me rëndësi. Por kërkesat tona janë të vazhdueshme për më shumë hapësirë në vende udhëheqëse pasi që konsiderojmë se mund t’u dalim zot përgjegjësive që marrim. Forumi i BDI-së së shpejti do t’i nënshtrohet një reforme të gjerë ku të gjithë ata që mendojnë që mund të japin kontributin e tyre do të mund t’i bashkohen kësaj organizate rinore”, tha kryetari i Forumit Rinor të BDI-së, Hisen Xhemaili.

Sipas kryetarit të rinisë së PDSH-së, Krenar Lloga, Rinia Demokratike Shqiptare (RDSH) në historinë e vet e ka treguar se ka gjetur hapësirë të mjaftueshme në parti. “Këtë hapësirë deri sot ne e kemi menaxhuar mirë dhe një pjesë e mirë funksionarëve të PDSH-së vijnë prej shkollës që quhet rini e demokracisë shqiptare. Koha e imponon që të kyçen jo vetëm si figura por edhe si mentalitet, si frymë e re, si shkollim të përgatitur nga shkolla moderne. Besoj se atë që mund ta sjell rinia është edhe impulsi i ri dinamik që ato forma e sjellin në këtë aspekt. Mund të jetë sfidë e heshtur por kjo na bën akoma më të fortë dhe më të guximshëm që ta kërkojmë atë që na takon, jo vetëm si rini por edhe si frymë e re politike”, tha Lloga.

Visar Ramadani nga Forumi Rinor i DR-së tha se me vetë faktin se rinia shqiptare është bërë pjesë e rretheve akademike në numër shumë të madh, rinia shqiptare po edukohet me arsim të lartë në universitete shtetërore si dhe private dhe kjo imponon nevojën dhe vullnetin për t’u kyçur në politikë.

“Nga ana tjetër, dështimet e njëpasnjëshme të politikës shqiptare në Maqedoni, ngërthejnë në vete edhe nevojën që një frymë e re të politikanëve shqiptarë, e cila do t’i qaset politikës me atë që do të sjellë një politikbërje më ndryshe në skenën shqiptare. Kjo është edhe qëllim të forumit të demokratëve të rinj me vetë aktin e formimit si organ rinor që edhe përbrenda partisë por edhe në skenën politike të ushtrojë në frymë të re të politikbërjes por edhe të qasjes pozitive ndaj zgjidhjes së problemeve që i kanë shqiptarët”, tha Ramadani. (kohaere)
Shtuar më 12/10/2010, ora 09:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori