LSDM: Recesioni po rrezikon Maqedoninë
Kryeministri Nikolla Gruevski po shmanget të tregojë se ç’ndodhi me ekonominë e vendit nga zgjedhjet e kaluara e këndej, ka akuzuar sot LSDM.

Nënkryetari i saj, Zoran Jovanovski, ka vlerësuar duke u bazuar në të dhënat zyrtare se recesioni po arrin gjithnjë e më shpejtë dhe po rrezikon ekonominë e vendit. Mjafton, thotë ai, të shihen parametrat që i jep Enti Shtetëror i Statistikave dhe të kuptohet se "në ç’gjendje ndodhemi", njofton Zhurnal.

2Shkalla e papunësisë është rritur dhe arrin në 31,6 për qind, kurse shkalla e punësisë është zvogëluar dhe tani është 38,6 për qind. Standardi jetësor i qytetarëve po bie teposhtë, kurse po shtrenjtohen produktet themelore, si rryma, benzina, ngrohja ndërsa paralajmërohen edhe shtrenjtime të reja", ka theksuar Jovanovski.


"E madje, në këto kushte, Qeveria mori të tallet me dinjitetin e qytetarëve që marrin ndihma sociale, duke u ofruar bileta falas për në opera dhe balet, si zgjidhje e problemeve të tyre", ka vijuar Jovanovski.

Ai ka pohuar se nga muaji qershor i vitit të kaluar deri në mars të këtij viti, shkalla e rritjes së ekonomisë së vendit është baras me zero %.

"Në tre muajt e parë të vitit, me rritje prej 1,4 për qind ekonomia e vendit ka rezultatin e tretë më të keq kundrejt vendeve të Bashkimit Evropian. Por kryeministri hesht për këtë. Punët shkojnë kah më e keqja, recesioni po troket në derë", ka përfunduar nënkryetari i LSDM-së. /albeu.com/
Shtuar më 06/08/2012, ora 14:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori