LSDM i del në mbrojtje Xhaferit kundër VMRO-DPMNE-së
Deputeti i Lidhjes Sociale Demokrate e Maqedonisë (LSDM), Aleksandar Kiracovski sot ka deklaruar se paditë penale që partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE-ja i ka parashtruar për kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, janë të pabaza.

Sipas tij, LSDM-ja e përkrah veprimin e kryeparlamentarit Xhaferi për publikimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Gazetën Zyrtare pa dekretin e presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov.

“Ne si parti politike e përkrahim veprimin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, respektivisht nënshkrimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës me Republikën e Greqisë. Presidenti Gjorge Ivanov, në pajtueshmëri me nenin 75, paragrafi 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, ishte i detyruar që ta dekretojë Ligjin për përdorimin e gjuhëve, pasi që dy herë ka kaluar dhe është votuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, dhe për këtë konsideroj se paditë penale kundër kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë janë të pabaza”, tha Kiracovski.

Duke folur mbi mundësinë e ngritjes së padisë penale kundër presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov pasi që i njëjti refuzoi të dekretojë Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës edhe pas votimit të dytë në Kuvend, deputeti Kiracovski njoftoi se për një gjë të tillë nuk është menduar.

“Se a do të ketë bazë për ngritjen e padisë penale kundër presidentit të shtetit, sinqerisht të ju them as nuk kemi menduar, dhe as që e radhës të mendohet”, tha Kiracovski.
Shtuar më 20/01/2019, ora 09:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori