LSDM dorëzon në kuvend disa ligje
Propozim-ligji për pagë minimale, për sigurim material të personave të papunë për shkak të privatizimit të ndërmarrjes me pronësi dominante të shtetit, si dhe rregullativa për heqjen e taksës radiodifuzive, janë pjesë e pakos së ligjeve që do të dorëzohen në Kuvend para fillimit të seancave parlamentare. Këtë e deklaroi sot koordinatori i grupës parlamentare të LSDM-së, Tomisllav Tuntev, i cili tha se për këto ligje ka kërkuar përkrahjen edhe nga partitë opozitare.

“Dje dhe sot kam kërkuar përkrahje për këto ligje nga të gjitha grupet parlamentare. Pres kësaj radhe, interesi i qytetarëve të jetë para interesave partiake. Ligjet dorëzohen sipas procedurës së shkurtuar pasi janë siguruar mjete me sjelljen e rishikimit të buxhetit”, tha Tomisllav Tuntev nga LSDM.

Me ligjin për pagë minimale, sipas tij, do të rritet paga minimale në 12 mijë denarë. Ndërsa me ligjin për të falimentuarit, Qeveria synon të lehtësojë problemin e mbi 3500 personave që kanë mbetur pa punë si pasojë e falimentimit të kompanive shtetërore.

“Me të ashtuquajturin ligj për të falementuarit do të mundësohet sigurim material të mbi 3500 personave përkatësisht persona që më së paku 15 vite kanë qenë më së paku 15 vite në marrëdhënie pune me ndërmarrjen në pronësi shtetërore dhe të cilët në ditën e hyrjes në fuqi të ligjit do të jenë në moshë prej 52 vjeç për gratë dhe 55 për burrat. Ata do të kenë të drejtë për dëmshpërblim në të holla me vlerë prej 7.596 denarë në muaj”, theksoi Tuntev.

Ai ka shtuar se duke pasur parasysh zgjedhjet lokale, në Kuvend me të gjitha gjasat do të diskutohet deri më 25 shtator dhe është e rëndësishme që puna e Kuvendit të jetë efikase dhe me rezultate konkrete. /albeu.com/
Shtuar më 01/09/2017, ora 18:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori