Lisiçe, i jepet fund bojkotit
Prindërit e nxënësve shqiptar të shkollës fillore "Goce Dellçev" në Komunën e Aerodromit u kanë dhënë fund protestave për mbylljen e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe. Sot i është dhënë fund edhe bojkotit të mësimit nga ana e nxënësve, pasi siç tregon kryetari i Këshillit të prindërve, Nuredin Bekteshi, kanë marrë garanci të forta se kërkesat e tyre do të realizohen pas dy muajve, njofton Koha.

"Pranuam të ndërpresim bojkotin pasi zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Safet Neziri, na premtoi se do të zgjidhet problemi deri në gjysmë-vjetorin e dytë të këtij viti shkollor", u shpreh Bekteshi, ndërsa nënvizon se ndërprerja e bojkotit është e kushtëzuar me ndryshimet në Ligjin për arsim fillor.

"Zëvendësministri na premtoi se për këto dy muaj do të ndërrohet Ligji dhe prandaj vendosëm që fillojmë ti dërgojmë fëmijët në shkollë derisa të bëhen ndryshimet. Nëse këta dy muaj ndryshon Ligji atëherë mirë, nëse jo do të fillojmë përsëri bojkotimin e mësimit", shprehet Bekteshi.

Pas dy javë protestash, 62 nxënësit shqiptarë të "Goce Dellçev", nga klasa e parë deri në klasën e pestë, kanë nisur mësimin në dy paralelet e kombinuara nga ana e Komunës së Aerodromit. Vitin e kaluar nxënësit ishin të shpërndarë në tre paralele, ndërsa këtë vit me vendim të Komunës së Aerodromit dhe pëlqim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës u mbyll një paralele duke e shkrirë atë në klasën me tre gjenerata nxënësish. Për pasojë nga kjo shkollë e fshatit Lisiçe u nxor "tepricë teknologjike" arsimtari me mbi 39 vjet përvojë pune Rufki Loku.

Ai ka bërë ankesë deri te shkolla dhe Inspektorati Shtetëror i Punës, për padrejtësinë që pretendon ti jetë bërë në këtë rast, ndërsa jozyrtarisht pritet që për zgjidhjen e problemit t’i ofrohet punësim në ndonjërën prej shkollave të Çairit ose Sarajit. Kryetarët e këtyre dy komunave, paralajmëruan se do të hakmerren ndaj vendimeve të kryetarit të Komunës së Aerodromit, Ivica Konevskit, duke kërcënuar edhe ata me mbylljen e paraleleve maqedonase me më pak se 24 nxënës. /albeu.com/
Shtuar më 27/09/2012, ora 13:38

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori