Reagon ashpër shoqata pas arrestimeve të arkitektëve për dëmet e tërmetit

Ditën e sotme për herë të parë ka reaguar Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë për arrestimet pas tërmetit të 26 Nëntorit.

HASH i ka cilësuar si të papranueshme arrestimet, gjatë një deklarate për mediat, pasi sipas saj, arkitektët nuk janë fajtorë për dëmtimet e banesave.

Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë, e cila brenda saj ka pjesën më të madhe të arkitektëve të liçensuar në Republikën e Shqipërisë, po ndjek me shumë vëmendje zhvillimet e fundit në lidhje me nxjerrjen e përgjegjësive për dëmet e tërmetit.

“Në as edhe një rast dëmet fizike të godinës nuk kanë lidhje me profesionin e arkitektit funksionet profesionale të të cilit janë parashtruar me sipër. Ekzekutimi i masave ekstreme nga institucionet ligjzbatuese pa u thelluar më parë në metodologjinë dhe proçesin e përgjegjësive të dëmeve të tërmetit sipas fazave të përcaktuara me ndalime me arrest / apo tjetër, është e papranueshme në një shoqëri të lirë, duke shkaktuar dëme traumatike për jetën dhe aktivitetin profesional individual apo familjar, për seicilin qytetar dhe profesionist të lirë të këtij vendi”, thuhet mes të tjerash në reagim.

Po ashtu, SHASH ka theksuar se një arkitekt nuk ka kompetenca profesionale dhe ligjore për një shtëpi dhe në këto kushte, nuk mund të mbajë as përgjegjësi.

Reagimi i plotë i Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë:

Mendojmë se është e rëndësishme që të specifikohen disa elementë kyç për profesionin e arkitektit në lidhje me situatën e krijuar.

Përgjegjësitë profesionale të arkitektit si projektues i lirë janë individuale të ndërlidhura me pikat e liçensës profesionale të cilën shteti ja jep dhe njeh gjatë ushtrimit të profesionit.

Roli profesional i arkitektit në proçesin e hartimin të një projekti të plotë është ligjërisht i mirëpërcaktuar në funksionet e mëposhtme:

Zgjidhje volumetrike

Zgjidhje funksionale

Zgjidhje estetike

të godinës që financohet nga një subjekt/institucion privat/publik, i cili kontrakton shërbimin e projektimit tërësor të saj.

Pra, sipas legjislacionit në fuqi, por edhe atij analog ndërkombëtar, arkitekti nuk ka kompetenca profesionale dhe ligjore, që lidhen me hartimin e projektit konstruktiv të ndërtesës dhe për rrjedhoje nuk mund të ngarkohet me asnjë përgjegjësi ligjore dhe morale të lidhur me qëndrueshmërinë statike dhe sizmike tërësore apo pjesëve të veçanta të saj.

Roli, detyrat dhe përgjegjësite profesionale të arkitektit në Republikën e Shqipërisë janë të rregulluara me legjislacionin cituar: VKM Nr. 759, datë 12.11.2014 “Për Liçensimin profesional të individëve dhe subjekteve juridike që do të ushtrojnë veprimtari në fushën e studimit e të projektimit në ndërtim dhe mbikqyrjes e kolaudimit të punimeve të zbatimit në ndërtim”,

Nr.8402, dt. 10.9.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit” Ligji Nr.107/2014, dt. 31.07.2014 “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”, VKM Nr.408, datë 13.05.2015 “Për miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit”, Nr. 68, datë 15.2.2001 “Për miratimin e standarteve dhe të kushteve teknike të projektimit dhe të zbatimit të punimeve të ndërtimit” dhe Deklarata e përgjegjësisë profesionale Shtojca B Arkitekti.

SHASH mbështet nxjerrjen e përgjegjësive profesionale të lidhura me dëmet e tërmetit, si 1. Akt – konstatimi; 2 Akt- ekspertimi, të drejtuara dhe koordinuara nga institucioni përgjegjës, Instituti i Ndërtimit me grupet e ekspertëve të autorizuar nga Institucionet e shtetit.

Akt konstatimi nxjerr në pah dyshimet lidhur me problemet potenciale, që mund t’i jenë shkaktuar godinës dhe vlerësimin a është fizikisht e banueshme apo jo.

Në qoftë se godina konstatohet si e pabanueshme kalon në fazën e 2-të të akt ekspertimit ku në bazë të dyshimeve të konstatuara në fazën e parë bëhet një vlerësim tërësor teknik lidhur me projektin, zbatimin apo edhe ndërhyrjet potenciale që mund t’i kenë ndodhur godinës.

Është pikërisht kjo fazë që ndan qartë përgjegjësite teknike dhe ligjore të seicilit aktor në proçesin e ndërtimit.

Por në as edhe një rast dëmet fizike të godinës nuk kanë lidhje me profesionin e arkitektit funksionet profesionale të të cilit janë parashtruar me sipër.

Ekzekutimi i masave ekstreme nga institucionet ligjzbatuese pa u thelluar më parë në metodologjinë dhe proçesin e përgjegjësive të dëmeve të tërmetit sipas fazave të përcaktuara me ndalime me arrest / apo tjetër, është e papranueshme në një shoqëri të lirë, duke shkaktuar dëme traumatike për jetën dhe aktivitetin profesional individual apo familjar, për seicilin qytetar dhe profesionist të lirë të këtij vendi.

Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë mbetet në dispozicion për çdo ndihmë apo sqarim teknik profesional për institucionet përkatëse ligjzbatuese për të ndihmuar në saktësimin përgjegjësive profesionale të Arkitektit. /albeu.com/


Shtuar 21.01.2020 15:19