Nga kapja e 1 ton marijuane, zhdukja e Ervis Martinajt deri të vrasjet e plagosjet e shumta, ngjarjet më të rëndësishme të kësaj jave

Kjo javë ka qenë e mbushur me ngjarje kriminale në vend, duke nisur që nga vrasja në Maliq, te ajo në Shkodër, e deri te kapja e rreth 1 ton droge nga Guardia di Finanza në Gjirin e Arushës e zhdukja e shumë të kërkuarit Ervis Martinaj.

Vrasja në Maliq dhe në Shkodër

Të hënën e 8 gushtit, në fshatin Rrëmbec të Maliqit, u vra me thikë Nesti Kusari dhe autor i kësaj ngjarjeje ishte fqinji i tij Velo Hazizllari. Vrasja ndodhi për motive të dobëta. Fqinjët u konfliktuan pas sherrit për qenin. Fillimisht janë zënë me fjalë, pastaj fizikisht e në fund Kusari nxori thikë dhe e goditi për vdekje. Edhe autori gjithashtu ka marrë plagë dhe ndodhet në spitalin e Korçës, ku është arrestuar nga policia.

Një ditë më vonë, 9 gusht, një tjetër ngjarje e rëndë u shënua në Shkodër. Shtetasi Vlash Jakaj, 68 vjec, vrau me armën e gjahut nipin e tij B.J, rreth 10 vjeç. Sipas policisë në momentin që ndodhi ngjarja 68-vjeçari ka qenë duke pastruar armën e cila është shkrepur. Gjithashtu policia bën me dije se nga e shtëna ka mbetur i plagosur edhe vetë Vlash Jakaj në dorë. I mituri ishte me pushime me familjen e tij në vendlindje, prindërit dhe vëllain e madh, pasi jetonin në Pistoia të Italisë. Varrimi i është bërë në vendin ku jeton.

Plagosje në Fushë Krujë, Tiranë e Kuçovë

Siç e theksuam dhe më lart, java nuk ka qenë e qetë sa ju takon ngjarjeve të rënda. Të mërkurën, 10 gusht, në fshatin Zgërdhesh të Fushë Krujës, pas një konflikti për ullinjtë, Klodian Keçi ka qëlluar dhe plagosur me armë zjarri shtetasin Luan Hushi 55 vjeç. Si pasojë e plagëve të marra 55-vjeçari është transportuar në Spitalin e Traumës, ndërsa policia po punon për kapjen e autorit.

Të premten, rreth ores 17:30, në kryqëzimin e rrugëve “Todi Shkurti” me rrugën “Kristaq Capo”, një shtetas i identifikuar si Qani Muça ka plagosur me armë zjarri në bark, një punonjës Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, 52 vjeç ,që sapo kishte përfunduar zbatimin e një vendimi për shembjen e një shtëpie. I plagosuri, Ilirjan Gavelli, u dërgua në spital dhe ndodhet në sallë nën kujdesin e mjekëve. Autori u kap nga shërbimet.  Mësohet se Prokuroria ka kërkuar “arrest me burg” për Muçën. Në dëshminë e tij punonjësi i IMT-së, Ilirjan Gavelli është shprehur: Po largoheshim kur Qemali më shau dhe nxori pistoletën. U hodha për t’ia marrë armën dhe më qëlloi dy herë. Kur u përlesha me Muçën për t’i marrë armën vinte era alkool, ishte i dehur. Qani Muça qëlloi 2 herë drejt inspektorit të IMT, ndërsa njëri nga plumbat kapi në një makinë të parkuar. Sakaq, gruaja e Qani Muçës ka deklaruar se nuk e dinte që burri kishte armë. “Nuk kisha dijeni që burri mbante armë”, ka thënë ajo. Ndërsa autori i ngjarjes, Muça nuk ka shprehur aspak pendesë për atë që k ndodhur. Ai ka deklaruar: Këta (Inspektorët e IMT) duhen vrarë të gjithë se janë kriminelë.

Ditën e djeshme, 13 gusht,  në lagjen “1 Maji” në Kuçovë, mbeti i plagosur 46-vjeçari Admir Bejo. Burimet policore bëjnë me dije se, nga vëzhgimi i kamerave të sigurisë së bizneseve dhe banesave që ndodheshin në rrugën kryesore të lagjes “1 Maji”, është bërë e mundur zbulimi i kronologjisë së plagosjes. Mësohet se plagosja e Bejos nuk ka lidhje me larje hesapesh për ngjarjen e ndodhur në vitin 2007, kur ai dhe vëllai i tij Ilija Bejo plagosën me armë duke dalë nga hyrja e pallatit dy vëllezërit Kundja. Plagosja e djeshme ka ndodhur për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit të Admir Bejos me një banor tjetër të lagjes “1 Maji”, që banonte shumë pranë banesës së tij, pikërisht 200 metër nga vendi ku Bejo u gjet i shtrirë në rrugë. Burimet policore konfirmojnë se konflikti mes Bejos dhe autorit ka ndodhur në banesës e këtij të fundit, ku pasi kanë debatuar me njëri-tjetrin komshiu i tij ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar 2 herë mbi 46-vjeçarin Admir Bejo. Bejo ka ikur me vrap për të dalë nga banesa e autorit dhe në dalje është qëlluar edhe dy herë të tjera po plumbat nuk e kanë zënë. Pasi ka ecur disa metra Bejo ka rënë në tokë, ku edhe është gjetur i shtrirë nga një kalimtar që ka njoftuar policinë. Burimet policore bëjnë me dije se është identifikuar autori i plagosjes dhe po punohet për kapjen e tij, ndërkohë që emri i autorit nuk bëhet ende publik. Policia konfirmon se nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë gjetur 4 fishekë, të kalibrit 7.62 mm. Burime nga lagjia “1 Maji” ku ishte edhe zona ku kishte lindur i plagosuri konfirmojnë se Admir Bejo ishte përdorues i rregullt i lëndëve të forta narkotike dhe për këtë arsye mashtronte e u merrte lekë borxh njerëzve që njihte. Sipas banorëve të lagjes, Bejo kishte degraduar dhe konfliktohet me këdo që i dilte para, edhe pa asnjë shkak.

Kapja e rreth 1 ton droge në Gjirin e Arushës

Tre shqiptarë dhe dy ukrainas u arrestuan të hënën pas një operacioni të përbashkët të Guardia di Finanza me policisë e Vlorës. Një tjetër është shpallur në kërkim. 1 ton marijuanë, që po shkëmbehej në det të hapur u sekuestrua në vendin e quajtur Gjiri i Arushës. Guardia di Finanza ka nxjerrë pamjet e drogës së sekuestruar dhe bën me dije se nëse do të hidhej në treg do të arrinte vlerën e 10 milionë eurove. Droga ishte ndarë në blloqe dhe çanta të ndryshme. Nga ky operacion u sekuestruan 3 skafet me të cilat dyshohet se lënda narkotike është transportuar deri në thellësi të detit Jon ku është dorëzuar në anijen velierë në ujerat Santa Maria di Leuca ne Lecce. Operacioni antidrogë nisi të dielën mbrëma në brigjet e Santa Maria di Leuca , kur një helikopter i Guardia di Finanza, i cili kreu fluturimin për llogari të Frontex (Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare) vuri re tre persona  në detin Jon të cilët shkarkonin pakot në një varkë me vela. Ndërsa anija me vela, në të cilën ndodheshin dy shtetasit ukrainas Bychkovi Serhii dhe Senkevych Serhii, 43 dhe 62 vjeç, u ndalua nga mjetet e policisë financiare të Galipolit, tre shqiptarët, drejtuesit e tre varkave me të cilën u transportua droga u bllokuan dhe ndaluan nga autoritete lokale. Në pranga ranë Arbër Saraseli, 31 vjeç, Saverjo Imeraj, 22 vjeç dhe Qemal Pekmezi, 19 vjeç . Në bordin e anijes, e cila më pas u dërgua në portin e Città Bella, u gjetën 992 kilogramë kanabis, të ndarë në 153 pako, secila me peshë nga 6 deri në 8 kilogramë.

Zhdukja e të shumë kërkuarit Ervis Martinaj

Të enjten, 11 gusht, familja e Ervis Martinajt ka alarmuar policinë e Laçit se ka humbur kontaktet me 40-vjeçarin, i shumëkërkuar nga policia. Burime nga Drejtoria e Policisë së Shtetit, bënë të ditur se ishte nëna e Martinajt ajo që ka kryer denoncimin, duke thënë se prej 3 ditësh nuk kishte asnjë kontakt me djalin e saj. Ky i fundit është shpallur në kërkim ndërkombëtar për shumë ngjarje kriminale të ndodhura në vend. Ajo ka rrëfyer se nuk e di ku ndodhet djali i saj dhe po ashtu informacion për të nuk kanë as të afërmit e tjerë të cilët ruanin kontakte me të shumëkërkuarin. Xhaxhai i 40-vjeçarit, Faik Martinaj depozitoi një kallëzim për zhdukjen e të shumëkërkuarit të drejtësisë në komisariatin e Laçit.

Një shok i Ervis Martinajt  ka shkuar në shtëpinë e tij dhe i ka thënë se ka humbur kontaktet me të. Familjarët dyshojnë se atij mund t’i ketë ndodhur diçka e keqe, për faktin se ka armiq të shumtë dhe se është në kërkim ndërkombëtar. Ka dhe një mesazh që persona që shoqëroheshin me Ervis Martinaj ia kanë treguar të afërmve të tij, ku thotë “kini kujdes se do ketë kontrolle”. Misteri i humbjes së kontakteve të Ervis Martinajt me familjen e tij ka vënë në vështirësi grupin e hetimit, pasi për herë të parë prokuroria ka çelur një hetim për rrëmbim personi, ndërkohë që 40-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar mbi bazën e një urdhër arresti nga SPAK. Burime bëjnë me dije se  prokuroria ka nisur përgjime e vëzhgime të personave që dyshohet se mund të kenë pasur kontakte me Martinaj. Ndërkohë po ushtrohen kontrolle në disa vende që ka dyshime se Martinaj përdorte si baza për t’i shpëtuar policisë. Hetuesit kanë kthyer sytë drejt Vlorës, qytet ku mendohet se Martinaj kishte lidhje dhe njohje të forta. Hetimet nisën pas kallëzimit të Faik Martinaj, xhaxhait të 40-vjeçarit të shumëkërkuar, i cili denoncoi humbjen e kontakteve me nipin dhe ngriti dyshime se mund t’i ketë ndodhur diçka e keqe për shkak të përplasjeve që ka me grupe kriminale që kanë interes ta eliminojnë. Pistat e hetimit janë të hapura, nga njëra anë ka dyshime se ngjarja mund të jetë inskenuar nga vetë Martinaj për t’u shpëtuar kundërshtarëve dhe policisë, nga ana tjetër nuk rrezohen as dyshimet se mund të jenë përpara një ngjarje kriminale./albeu.com