Ligji për gjuhët do të votohet javën e ardhshme
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani deklaroi se javën e ardhshme do të votohet ligji për gjuhët.

Ai në një deklaratë për TV “Telma” e hodhi poshtë mundësinë për ndryshimin e tekstit, sepse, siç tha, ai është harmonizuar paraprakisht me dy partitë më të mëdha në bllokun maqedonas.

“Javën e ardhshme ligji për gjuhët sërish do të gjendet para deputetëve dhe pritet të votohet për të mirën e Republikës së Maqedonisë”, kështu vlerëson zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.

Thotë se kjo Qeveri që në fillim ka vendosur të përballet me tre pengesa të mëdha në rrugën eurointegruese – marrëdhëniet e këqija me Bullgarinë, kontestin me emrin dhe përdorimin e gjuhës shqipe.

“Jam i bindur se nëse e tregojmë përkushtimin dhe guximin e njëjtë për ta sjell ligjin, ndërsa do ta sjellin në ditët në vijim, gjithashtu marrëdhëniet ndëretnike do të jenë mbështetja më e madhe për ne, fuqia më e madhe inkurajuese që shteti të hyjë në strukturat euroatlantike dhe më pas të mbesë çështja e fundit dhe ajo është çështja e emrit”, tha Osmani.

Përkujton se ky ligj dy herë është votuar me shumicë prej 69 deputetëve dhe hedh poshtë çfarë do ide për ndryshimin e tekstit të ligjit.

Zëvendëskryeministri nuk beson se sjellja e ligjit mund të ndikojë negativisht ndaj bisedimeve me opozitën rreth ligjeve reformuese. Mendon se do të ishte fëmijërore nëse VMRO-DPMNE-ja hidhërohet dhe nuk voton për reformat.

Para tre ditëve ligji për gjuhët u vendos në rend dite, por seanca nuk u mbajt për shkak të kërkesës që LSDM-së t’i jepet shans për dialog. Nga partitë thonë se takim të liderëve nuk do të ketë, por bisedime do të ketë. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi u ka dhënë afat prej një jave partive që të harmonizohen, pas çka seanca do të caktohet, ndërsa ai do të veprojë, siç tha, në pajtim me Kushtetutën dhe me Rregulloren. /albeu.com/
Shtuar më 09/03/2018, ora 22:07

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori