Lëvizja Besa, "krahu i Shkupit" hap zyrë në Tetovë
Gjatë ditës së nesërme i ashtuquajturi “krahu i Shkupit” i Lëvizjes Besa hap zyrat në Tetovë, që nënkupton se kjo parti politike do të posedojë dy seli. Njëra do të shfrytëzohet nga mbështetësit e Bilall Kasamit apo siç njihen “krahu i Tetovës” dhe tjetra nga “krahu i Shkupit”, njofton Alsat M.

Burime brenda partiake thonë se Lëvizja po shkon drejt ndarjes, por megjithatë presin përgjigjet institucionale nga ana e Regjistrit Qendror dhe Gjykatës Administrative për zgjidhje përfundimtare. Për një ndarje të tillë dhe krijimin e një partie të re ditë më parë foli edhe deputeti i Besës Nexhbedin Kahremani, i cili tha se nuk përjashtohet një opsion i tillë.

Gjatë ditës së nesërme mbështetësit e Kahremanit do të mbajnë mbledhje të Këshillit Qendror, ku edhe do të bisedojnë mbi kongresin e partisë i cili është caktuar për më 24 shkurt.

Nga krahu i Shkupit nuk shpalosin nëse do të nxjerrin kandidatin e tyre për kryetar të Lëvizjes, apo cilat janë emrat më potencial, ndërkohë që hedhin poshtë zërat se nënkryetari i Besës Arben Llabënishta do të jetë kandidati për kryetar si opsioni për bashkimin apo zbutjen e raporteve në mes dy fraksioneve të krijuara brenda kësaj partie.
Shtuar më 14/01/2018, ora 17:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori