Letër e hapur nga Malësia e Shkupit: Ushqimi e ilaçet nuk njohin gjuhë apo komb
Banorët e Malësisë së Shkupit, të bllokuar nga dëbora dhe i ftohti i madh, apelojnë për ndihmë te institucionet qeveritare.

Ja letra e hapur e tyre:

"Bora dhe temperaturat e ulëta janë veçori dimërore, por kur faktori njeri mbetet nën mëshirën e kohës, atëherë themi se kemi të bëjmë me veçorinë e mungesës së humanizmit dhe dhembshurisë ndërnjerëzore.

Mbi 600 banorë nga fshatrat Brezë, Malinë, Tanushë, Llukarë, Goshincë dhe Strimë, një javë rresht janë të izoluar nga çdo lidhje me botën e qytetëruar. Ata apelojnë deri te institucionet zyrtare që sa më shpejt të veprojnë në drejtim të sigurimit të kushteve normale për furnizim me gjërat elementare për ushqim sikur për njerëzit, poashtu edhe për bagëtitë e tyre.

Ushqimi dhe ilaçet nuk njohin gjuhë apo komb, andaj edhe këta banorë shqiptarë të cilët edhe ashtu jetojnë në kushte të rëndë sociale dhe ekonomike, kërkojnë trajtim të barabartë me qytetarët e izoluar në zonat tjera në Maqedoni, dhe të cilëve shteti po u del në ndihmë.

Nëse institucionet shtetërore nuk veprojnë sa më shpejt që këtyre banorëve tu sigurojnë rrugë dhe mënyra për sigurimin e furnizimeve jetësore, atëherë ky izolim mund të merr përmasa katastrofale për këta 600 banorë, mes të cilëve pjesa e madhe janë fëmij dhe pleq. Paralajmërimi i të reshurave të borës dhe temperaturave të ulta vetëmse do t’i shtojë vuajtjet dhe brengat e këtyre hallexhinjëve.

Gjendja e rëndë sociale dhe ekonomike e cila shumë vite rëndon mbi banorët e këtyre fshatrave, ka mundësuar që këto zona malore shqiptare çdo vit të boshadisen duke u shpërngulur banorët e saj nëpër qytete apo edhe më larg në mërgim. Pikërisht nga këto shkaqe, ekziston edhe friga se çdo vones e intervenimit nga ana e shtetit, këtyre banorëve do tua shtojë motivet për shpërngulje të plotë të tyre, me çka këto zona malore do të mbeten pa njerëz fare.

Andaj, banorët e këtyre fshatrave shqiptare, vazhdojnë që të jetojnë nga dita në ditë me shpresë për një zgjidhje sa më të shpejt humanitare". /albeu.com/
Shtuar më 03/01/2015, ora 15:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori