“Lagjja e Trimave”, Prokuroria kërkon dënim maksimal për ët akuzuarit
Andi Krasniqi - Komandant Malisheva, Mirsad Ndrecaj- i ndjerë, Beg Rizaj - i ndjerë, Xhafer Zymberi - i ndjerë dhe Ziadin Krasniqi - në arrati, për prokurorin mbeten fajtorë dhe organizatorët kryesorë të grupit të Kumanovës në rastin “Lagja e Trimave”.

Prokurori, Naum Panovski, gjatë prezantimit të aktakuzës për ngjarjen e 9 dhe 10 majit në Kumanovë dhe për sulmin ndaj stacionit policor në fshatin Gushincë, akuzoi ata për kryerjen e veprës penale “organizatë terroriste” dhe “terrorizëm”, dhe kërkoi burgim të përjetshëm të të gjithë pjesëtarëve të tjerë të “Grupit të Kumanovës”.

Panovski e dëshmoi këtë duke u thirrur në provat e mbledhura nga vendi i ngjarjes dhe bisedat telefonike të siguruara nga masat PM, duke shtuar madje se të akuzuarit gjithë këtë e kanë bërë në kombinim të përfitimit material dhe motiveve politike. Pala mbrojtëse kategorikisht ishte kundër deklarimeve të prokurorisë.

“Deri tani dëgjuam prezantimin e aktakuzës dhe mbetën dy deliktet që ishin paraparë. Ky është rast i montuar dhe kjo shihet me vetë aktakuzën e ngritur në fillim, që mbetet e njëjtë edhe tani. Risi në këtë akuzë është që u tërhoqën nga akuza si organizatorë dy persona të akuzuar dhe tashmë mbetet vetëm një person i akuzuar si organizator, ndërsa të tjerët si pjesëtarë të sulmeve më datën 9 dhe 10 maj në Kumanovë”,- deklaroi avokati i mbrojtës, Naser Raufi.
Edhe familjarët e të akuzuarve shprehin dyshimet se ky rast është i montuar dhe kërkojnë drejtësi për të gjithë të akuzuarit.

“Me fjalët e thëna “terrorizëm” dhe “anti-terrorizëm”, ne familjarët e të akuzuarve kategorikisht nuk pajtohemi, pasi që terroristët e vërtetë janë jashtë, ata që kanë vjedhur dhe shkatërruar shtetin dhe popullin, ata janë kundër shtetit dhe popullit të vet, kundër gjithçkaje, dhe ata i kanë mbyllur djemtë tanë dhe më vjen keq që do të them se, kjo gjykatë është gjykatë familjare, e cila punon për interesat e tyre personale”,- deklaroi familjari i Ragmi Latifit, Fejzulla Latifi.

“Këta djem dhe trima nuk janë terroristë, por terroristë është ish-qeveria e Gruevskit, e cila në mënyrë të paparë i ka shkelur të gjitha të drejtat ndërkombëtare të luftës. Ata së pari është dashur të paralajmërojnë dhe t’i thirrin në dorëzim djemtë, e jo t’i sulmojnë pa paralajmërim”,- u shpreh prindi i Betim Avashit, Besnik Avashi.

Pala mbrojtëse në seancat e ardhshme gjyqësore të caktuara për më 28 dhe 31 korrik të këtij viti do ta japë fjalën përfundimtare, ndërsa më pas do të prononcohen përfundimisht edhe të gjithë të akuzuarit në këtë rast.

Në rastin “Lagja e Trimave” akuzohen 37 persona për veprat penale “terrorizëm” pas përleshjes së armatosur më 9 dhe 10 maj në Kumanovë. /albeu.com/
Shtuar më 20/07/2017, ora 18:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori