Ky inat do ta lë Maqedoninë me bark të thatë!
Njohësi i çështjeve ekonomike, Bujar Idrizi është shprehur se tendosja e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Maqedonisë që erdhi si pasojë e taksave që këto dy shtete vendosën për mallrat, respektivisht për qytetarët, thekson se kjo nuk paraqet risi.

Sipas tij, nëse e rifreskojmë memorien dhe rikujtohemi për sjelljen e Maqedonisë me refugjatët kosovarë gjatë vitit 1999, do të shohim se s'ka ndryshim në mentalitetin e maqedonasve kundrejt Kosovës dhe shqiptareve.

“Për fat të keq, po ashtu do të konstatojmë edhe një fakt tjetër, se as në 1999 dhe as sot në vitin 2013, shqiptarët nuk janë subjekt vendimmarrës në qeverinë e Maqedonisë. Me këtë rast edhe njëherë dëshmohet se realisht akoma nuk jemi element konstituiv ne Maqedoni”, shprehet Idrizi i cili thekson se nëse kjo qeveri ka ndonjë sukses permanent gjatë këtyre viteve, ai është krijimi i armiqve dhe përkeqësimin e marrëdhënieve fqinjësore.

“Vlerësoj se Kosova nuk duhet të tërhiqet nga vendimi i saj përderisa nuk plotësohen kërkesat që ka. Madje, kam përshtypjen se po të mos ishte presioni ndërkombëtar, Maqedonia akoma nuk do ta njihte pavarësinë e Kosovës. Kosova është vonuar me këtë masë. Që moti duhej të ndërmerrte masa të tilla për t'i treguar Maqedonisë, se nëse dikush e dëshiron tregun kosovar, atëherë duhet t'i respektojë rregullat e lojës. Parimi unë shes çka të dua, ndërsa ti vetëm atë që unë ta lejojë është i papranueshëm”, shprehet për Almakos analisti për çështje ekonomike, Bujar Idrizi.

Ai potencon faktin se me këto politika do të jenë vetë maqedonasit ata që do të dëmtohen më shumë ngaqë kompanitë e tyre eksportojnë në Kosovë, ndërsa gjatë vizitave në Maqedoni, kosovarët shpenzojnë paratë në shitoret e maqedonasve.

“Zyrtarisht mbi 300 milion dollarë është bilanci nga këmbimi tregtar në favor të Maqedonisë. Nëse kësaj ja shtojmë edhe paratë që kosovarët harxhojnë në Maqedoni, shuma do të jetë shumë më e lartë. Nëse dikush do të mallkojë këtë politikë do të jenë pikërisht vet maqedonasit, të cilëve malli do t'ju mbetet në oborr”, shprehet Idrizi lidhur me efektet që do të prodhojnë zhvillimet e fundit.

Lidhur me mundësinë që qeveria e Maqedonisë të vendos regjimin e vizave për kosovarët, ashtu siç edhe u proklamua nga mediat e afërta me pushtetin, Idrizi shprehet se një veprim i tillë do të ishte kundër ekonomisë së Maqedonisë.

“Me këtë rast, në vend që kosovarët të vinë në Maqedoni për “shoping” dhe për t'i vizituar familjet dhe miqtë e tyre, shqiptarët nga Maqedonia do të shkojnë në Kosovë. Paratë në vend që të vinë në Maqedoni do të mbeten në Kosovë. Nëse maqedonasve ju pëlqen që të përkrahin një politikë e cila në thelb është si ajo thënia gjakovare - inati barkthati, atëherë duhet t'ju dëshirojmë rrugë të mbarë me këtë politikë”, shprehet Idrizi. /albeu.com/
Shtuar më 10/09/2013, ora 13:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori