Ky është rrëfimi i dëshmitarëve për rastin Monstra
Në seancën e sotme të rastit “Monstra” folën dy dëshmitarë, të cilët tashmë ishin dëgjuar në procesin e parë gjyqësorë.

I pari dha dëshmi bujku Ramadan Murati, i cili ka punuar tokat e të akuzuarit Fejzi Aziri, gjatë periudhës që ka ndodhur vrasja e pesëfishtë. Ai tha se më 12.04.2012 deri në ora 19.00, me disa punëtorë të tjerë, kanë punuar në parcelën që është buzë Liqenit të Smilkovës.

Por sipas tij, atë ditë nuk kanë vërejtur peshkatarë të moshës së re të kishin qëndruar aty. Murati tha se as Fejziu nuk ka qenë tek Liqeni gjatë asaj periudhe një javore që këta punonin.

Kjo sipas palës mbrojtëse, që i propozuan këta dëshmitarë, tregon se luhatë aktakuzën e PSP-së.

Avokati Naser Raufi thotë se këto fakte nxorën në rrenë edhe dëshmitarin e prokurorisë, të koduar “E1”.

Dëshmitari i dytë ishte Muhamet Arifi, berberi i lagjes së të akuzuarit Agim Ismajloviq. Ai tha se Agimi asnjëherë nuk ka pasur mjekër të zezë të zgjatur, siç përshkruhet në aktakuzën fillestare.

“Kjo ishte vërtetim i asaj që gjithë kohës e thotë mbrojtja se teza e dëshmive të dëshmitarit të mbrojtur ‘E1’ ku thotë se personi ka pasur mjekër, pra nuk janë të vërteta. Ne sot e patëm dëshmitarin e dytë, i cili vërtetoi se për gjatë kohë punon si berber dhe rregullisht i ka prerë flokët dhe i ka hequr mjekrën.” – u shpreh Asmir Alispahiq, Avokat

Nga pala mbrojtëse e të dëmtuarve, thonë se deklaratat e dhënë në procesin e kaluar në vitin 2013, janë krejtësisht ndryshe nga ato që u dëgjuan sot nga dëshmitarët e njëjtë. Avokatja Dafinka Ivanovska kërkon që këto kontradikta duhet t’i ketë parasysh këshilli gjyqësor, të cilët do të japin fjalën përfundimtare.

Prokurorja Speciale Fatime Fetai, reagoi që në fillim të seancës për faktin se pala mbrojtëse e të akuzuarave, kanë thirrur edhe dëshmitarë të rinj.

Ajo tha se paraprakisht duhet të deklarohen PSP-ja dhe gjykata, kurse dëshmitarët e rinj do të dëgjohen pas atyre që ishin në procesin e kaluar gjyqësor.

Seancën e ardhshme e 5 qershorit, e caktuar nga gjykatësi Ognen Stavrev, do të vazhdojnë me dëshmitarët tjerë të njëjtë nga procesi paraprak, të propozuar nga pala mbrojtëse e të akuzuarve.
Shtuar më 14/05/2019, ora 16:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori