Kuvendi voton ndryshimet në Qeveri
Kuvendi i Maqedonisë pritet të votojë sot në një seancë të posaçme kabinetin e rikonstruuar qeveritar, kryesisht nga radhët e ministrave shqiptarë të BDI-së.

Shefi i grupit parlamentar të BDI, Talat Xhaferi është propozuar si ministër i mbrojtjes, në vendin e Fatmir Besimit, i cili do të kalojë në dikasterin e integrimeve evropiane, në cilësinë e zëvendëskryeministrit duke zëvendësuar zëvendëskryeministren e deritanishme Teuta Arifi, e cila dha dorëheqje për shkak të kandidaturës për kryetare të komunës së Tetovës në zgjedhjet e 24 marsit.

Tahir Hani do të jetë ministri i ri i Pushtetit Lokal, duke zëvendësuar ministrin e deritanishëm Nevzat Bejta, i cili gjithashtu dha dorëheqjen për shkak të garimit në Tetovë.

Ndryshimet do të ndodhin edhe në nivel të zëvendësministrave: zëvendësministri i Brendshëm, Xhelal Bajrami do të kalojë si zëvendësministër i Transportit dhe Lidhjeve, Zemri Qamili do të marrë postin e zëvendësministrit të Brendshëm, ndërsa Ardian Xheladini do të jetë zëvendësministër i Financave. /albeu.com/
Shtuar më 18/02/2013, ora 09:43

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori