Kurti mbështet hapur kandidatin për president në Maqedoninë e Veriut
“Greqia nuk është më armik i jashtëm, sepse tashmë ndërroi emri i shtetit. Tash ka mbetur që të ndërrohet emri i presidentit, nga Gjorge Ivanov në Blerim Reka”, kështu ka bërë thirrje, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot në Kumanovë, që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, në zgjedhjet presidenciale të 21 prillit ta rrethojnë numrin 1 dhe të votojnë për kandidatin e pavarur, Blerim Reka.

Sipas Kurtit, vota më 21 prill është një vendim i rëndësishëm, por i lehtë, sepse sipas tij, Reka nuk duhet votuar vetëm për atë çfarë ai nuk është, por edhe për atë çfarë është.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti në tubimin e kandidatit për president të RMV-së, Blerim Reka. Kumanovë
“Unë kam nderin dhe kënaqësinë që ndodhem këtu në mesin tuaj, para një zgjedhje të rëndësishme, por besoj të lehtë. Blerimi nuk është i korruptuar, por ju nuk duhet ta votoni atë vetëm për atë që nuk është, por për atë që është. Ju e njihni Blerimin shkupjan, intelektual e publicist.

Edhe unë e njoh shumë mirë, por unë e njoh edhe më mirë edhe si këshilltar i Adem Demaçit. Të gjithë e dimë, që sipas regjistrimit të popullsisë, shqiptarët janë mbi çerekun e popullsisë, por numri i punësimeve shqiptare në ndërmarrje publike dhe administratën shtetërore është 90 për qind, kurse për pozita udhëheqëse ai bëhet i papërfillshëm. Nëse shqiptarët nuk do të kishin një kandidat shqiptar, kjo do të ishte mungesë vetërespekti. Mirëpo shyqyr e kemi profesorin Blerimin, kësmet president.

E dimë se shifra 20 për qind në Marrëveshjen e Ohrit, është teksti më i shpeshtë, por nga pushtetet e mëhershme dhe nga pushteti i Gruevskit kjo bëhej si pretekst për të ulur shqiptarët kudo nën 20 për qind, e jo për t’ua rritur të drejtat e tyre edhe pse janë mbi 20 për qind”, tha Kurti.
Shtuar më 07/04/2019, ora 21:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori