Kur Besimi dhe Dikoviq bekuan bashkëpunimin Maqedoni - Serbi (FOTO-LAJM)

Derisa shtohen zërat se takimi ndërqeveritar Serbi-Maqedoni që pritet të mbahet të hënën në Beograd, mund të thellojë edhe më tej krizën politike ndëretnike në Maqedoni dhe kur tashmë është bërë publike mungesa e përfaqësuesve të BDI’së në këtë takim, shumëkush mendon se kjo ide e bashkëpunimit ndërmjet qeverisë së Maqedonisë dhe asaj të Sërbisë morri trajtë gjatë vizitës zyrtare të kryeministrit Ivica Daçiq në Shkup në janar të këtij viti.

Mirëpo, mbase pak kujt i kujtohet se në shkurt të vitit të kaluar, ishte pikërisht përfaqësuesi i BDI’së, asokohe Ministër i Mbrojtjes, Fatmir Besimi, ai i cili e thellojë bashkëpunimin midis qeverive respektive.

Delegacioni i Ministrisë së Mbrojtjes, në shkurt të vitit 2012, i kryesuar nga ministri i atëhershëm, Fatmir Besimi, kishte qëndruar për vizitë pune në Serbi, ku zëvëndësi i tanishëm i Nikolla Gruevskit, Fatmir Besimi, ishte takuar edhe me shefin e Shtatmadhorisë së Armatës së Serbisë, gjeneral nënkolonelin, Ljubisha Dikoviq ( shih foton ).

Ky takim u realizua pikërisht në kohën kur një grup për të drejtat e njeriut e akuzonin komandantin e armatës serbe për krime lufte në Kosovë gjatë viteve 1998 – 99. Qendra për të Drejta Humanitare kishte deklaruar se shumë krime të rënda masive ishin kryer në Kosovë gjatë kohës që Dikoviq ishte në krye si komandant brigade, duke përfshirë ekzekutime të civilëve, grabitje dhe përdhunime.

Edhe kryetarja e Fondit për të Drejta Humanitare, Natasa Kandic, kishte deklaruar se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjeneral-nënkoloneli, Ljubisa Dikovic, nuk ka të kaluar të pastër, duke kujtuar se ai, si komandant i Brigadës së 37 të motorizuar në Kosovë, nuk ka penguar krimet që kanë ndodhur në zonën e tij të përgjegjësisë.

“Provat mbi të cilat bazohet aktgjykimi i Tribunalit të Hagës në lëndën ’Milutinovic dhe të tjerët’, viktimat e mbijetuara nga Drenica, si dhe dokumenteve nga baza e të dhënave të Gjykatës së Hagës, tregojnë për shumë krime të rënda lufte dhe masive ndaj civilëve shqiptarë në Drenicë, në zonën e përgjegjësisë së Dikovicit”, kishte deklaruar Kandic.

Asokohe, edhe deputeti i PDSH-së, Orhan Ibrahimi, pati shprehur akuza të ashpra ndaj zëvendëskryeministrit për eurointegrime Fatmir Besimi, për shkak të takimi që pati realizuar me shefin e Shtatmadhorisë së Ushtrisë serbe, shkruan Almakos.

"Fatmir, këtë fotografi e mban mend!? Njëri je ty, kurse ky tjetri është gjenerali kriminel, kurse tani komandant i forcave të armatosura të Serbisë, dhe këtë librin që e ke në dorë është “ Vojska Serbije “, a e din çfarë ka bërë “Vojska Serbije“ kundër shqiptarëve?! A e din?! Janë me qindra mijra shqiptarë të vrarë e të shpërngulur nga gjeneral Dikoviq, vet shoqata civile këtë gjeneralin e ka quajtur kriminel, sepse ka udhëhequr batalion në Kosovë dhe Ti hiq pa fije turpi shkon ia shtrin dorën një gjenerali kriminel.

Edhe tani pretendon që të behësh zv.kryeministër për integrime, ku do të i integrosh!? I keni integru shqiptarët e Maqedonisë, e keni shlye murrin me Serbinë, atje do të na integroni, jam i sigurtë sepse është duke u realizuar pjesa e dytë e Referendumit për Pavarsinë e Maqedonisë, e mban mend se sje i rri, se qysh është titulluar ajo pyetje për referendum!? Pikërisht është ky grupim politik në krye me Ali Ahmetin që na ka çu në këtë pozicion, në pozicione përbuzëse. Përplot janë burgjet me shqiptar, këta të burgosur që një pjesë e tyre kanë marrur pjesë në luftë, bile kanë marrë pjesë edhe në tre lufta, lirisht sot me këto ratifikime mund të vije Serbia vet të i mare, jo të i dërgojnë, sepse ligjet ia mundësojnë. Nuk e di a i keni lexuar këta ligje ju?!

A i keni pasur nëpër dorë, apo a nuk ju intereson?! Po të ju kishte interesuar do të shqetësoheshit pak, edhe do të ndërmershit një hap, por jam i sigurt se nuk jeni shqetësuar në asnjë moment për asnjë çështje për shqiptarët, për këtë arsye rrini me non-shalancë këtu dhe ju buzëqeshni me mënyrë ironike për pozicionin e shqiptarëve, por shqiptarët do të ju dënojnë mos e mendoni që kaq lehte do të kaloni”, pati deklaruar Ibrahimi. /albeu.com/
Shtuar më 02/06/2013, ora 13:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori