Kumanovë, shkatërrohet grupi i trafikut të emigrantëve
14 banorë të fshatit Vaksincë të komunës së Likovës dhe nga Kumanova janë ndaluar sot për përfshirjen e tyre në trafikimin e emigrantëve të huaj. Grupi i ndaluar në mënyrë të organizuar po trafikonte dhe strehonte emigrantë të huaj nga Afganistani, Pakistani dhe vendet tjera arabe, të cilët në mënyrë ilegale përmes Greqisë po hynin në territorin e Maqedonisë, njofton INA.

Policia theksoi se emigrantët me ndihmën e grupit të arrestuar po transportoheshin nëpër fshatrat e rajonit të Likovës, ku duhej që më pas të transportoheshin drejt Serbisë, Hungarisë dhe vendet tjera evropiane.

Policia tha se përmes informacioneve të siguruara, grupi i organizuar ka arritur që të trafikojë rreth 60 emigrantë të huaj. Ata u kapën duke transportuar një grup emigrantësh afgan dhe pakistanez si dhe dy emigrantë të tjerë nga Somalia.

Transporti dhe trafikimi i emigrantëve kryhej përmes formave të ndryshme, ndërsa për çdo emigrantë ishte pagesa prej 140 deri 160 euro.

Policia përmes një operacioni të organizuar ka bastisur tre objekte në fshatin Vaksincë, si dhe janë konfiskuar disa makina, me të cilat transportoheshin emigrantët. /albeu.com/
Shtuar më 07/11/2012, ora 18:31

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori