"Kumanova", dëshmon Arsim Bajrami: SMS-ja ishte thikë me shumë tehë
Pëlqej
Abonohu për lajmet me e-mail:
E-maili juaj:      Tani, kontrolloni e-mailin tuaj dhe konfirmoni abonimin!
Arsim Bajrami, ish pjesëtar i MPB-së i akuzuar në rastin "Kumanova", i ka hedhur poshtë akuzat për "terrorizëm" gjatë kohës që ka qenë në detyrë.

Sipas tij, për kontributin e tij në MPB më shumë flasin mirënjohjet dhe shpërblimet që ka marrë, raporton "Lajm".

"Karriera ime në MPB ka filluar më vitin 2003 si polic, pastaj në vitin 2014 në ekipin mobil për ndjekje të krimit në rrugë, kam qenë edhe inspektor në sektorin për vjedhje.

Nga viti 2008 deri më 7 maj të vitit 2015 kam qenë në policinë kufitare, si komandant në rajonin Veri. Gjatë karrierës time në MPB shumë herë jam shpërblyer me mirënjohje për punën time.

Përveç nga MPB për punën jam shpërblyer edhe nga ndërkombëtarët, për punën e suksesshme 2009-2011.

Po i them këto gjëra sepse Prokuroria arriti që vetëm nëpërmes një SMS-je, të pasqaruar, t'i tregojë gjykatës dhe opinionit se unë kam bërë veprën terrorirëzm, duke ma hedhur poshtë kontributin tim që kam dhënë për shtetin", tha Bajrami.

"Pas rastit të Gushincës në një mbledhje në SPB Kumanovë na u dha urdhër se prej atij momenti linjën kufitare do ta kontrollojnë Njësiti special 'Tigrat', ndërkaq nën linjën kufitare do të jenë policët e stacionit policor të fshatit Mateç.

Nga ana tjetër detyra jonë ishte të bënim asistencë në pjesën kufitare me Serbinë, në qendrën për të huaj", rrëfen ai.

Duke mohuar aktakuzën për terrorizëm dhe organizim terrorist Bajrami tha se nuk po mundet me gjet rolin e tij në këtë aktakuzë.

"Këtu, në gjykatë, i kam njohur të gjithë të akuzuarit. Më parë nuk njihja askënd. Sami Ukshinin dhe Andi Krasniqin i kam njohur sic i njohin të gjithë qytetarët e Maqedonisë.

Ndërsa Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj, i kam parë në vitin 2008 kur ishin si truproja të BDI-së gjatë fushatës parazgjedhore, kur atëherë unë si polic bëja sigurinë e fushatave, prej atëherë kurrë më si kam parë", pohon Bajrami.

Por, cfarë përmban SMS-ja?

"Numrin e kisha të shënuar si "Irfan.Ku (shoku i Blerimit)". Më 9 maj më shkruan SMS. Porosia ishte e dyshimt, mendova se është gabim dhe nuk i dhashë shumë rëndësi, por më vonë më kapi një panik dhe e telefonova, por nuk ma hapi.

Pas kësaj më mori në telefon kryeshefi dhe më tha se ka mbledhje ku duhet të marrim pjesë të gjithë, edhe pse e dinte se pata kërkuar pushim mjekësor.

Sapo filloi mbledhja erdhën 3 pjesëtar të njësitit special me maska dhe pyetën kush është Arsimi. U përgjigja! Më morën! Nuk e respektuan aspak procedurën ligjore, më shtrinë për toke dhe mi morën sendet personale që kisha me vete dhe armën zyrtare dhe më vendosën në qelinë e SPB Kumanovë.

Gjurmët e nitratit në trenjerkat e mia mund të kenë qenë të kontaminuara nga njësiti special. Unë jam gjuetar, dhe një muaj para rastit isha në gjueti, mundet të jenë gjurmët edhe prej atje", tha Bajrami.

"Ai SMS nuk ka gjasa të jetë për mua, është gabim i madh ose diçka tjetër. Çka tjetër, duhet ta zbardh Prokuroria", tha i vendosur ai, duke shtuar se "SMS-ja ishte e atij lloji, thikë me shumë teha. Unë e pash se është gabim, prandaj nuk i kushtova shumë rëndësi", përfundoi Bajrami. /albeu.com/

Shtuar më 21/04/2017, ora 15:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori