Kujtohet masakra e 12 gushtit në Luboten, tmerr, frikë… kur përmendet kjo datë (FOTO LAJM)

Pëlqej
Tmerr, frikë, krisma, zëra të njerëzve, këto u vijnë në mend lubotenasve kur përmendet 12 gushti i vitit 2001.

Edhe pse kanë kaluar tashmë 16 vite, koha nuk ka arritur atyre t’ua fshij kujtimet e hidhura të masakrës së Lubotenit.

16 vite më parë, në kohën kur një pjesë e Maqedonisë ishte e përfshirë nga lufta, forcat maqedonase të sigurisë zhvilluan operacion të ndërhyrjes në fshatin Luboten, ku vranë 10 civilë shqiptarë, duke mos kursyer as 6 vjeçarin Erxhan Aliu.

Për familjen Aliu mbeten të freskëta pamjet e asaj dite të kobshme, ku në mesin e krismave të shumëta që u kanë futur frikën në palcë, pësoi edhe biri i tyre.

Nëna e Erxhanit përshkruan në detaje se si asaj ja kanë dorëzuar trupin e të birit të goditur me granadë, të cilin mezi ka arritur ta njohë.

Nëna Havushe, mezi arriti t’i mbante lotët teksa tregonte se si me një dritë qiriri dhe në mesin e krismave të shumëta, kanë ruajtur trupin e të birit gjatë gjithë natës, për ta varrosur të njëjtin ditën e nesërme, në kopshtin e shtëpisë së gjyshërve të tij.

Djali ka dalë të luaj me djalin e madh, babai i Erxhanit ka qenë tek xhaxhai i tij, djali i madh erdhi Erxhani nuk erdhi. Kur shpërtheu granada, djali i axhës Erhani na e solli djalin e vrarë. Nuk arritëm ta vorrosim, e kemi mbajt me një qiri të vogël se gjuanin me granada shumë. Të nesërmen e kemi vorrosur në kopshtin ku rrijnë vjerritë e mi. Në orën 3 e kemi vorros, më vonë e morën babain e Erxhanit, unë mbeta me pleqtë dhe me Erollin”, ka deklaruar për TV SHENJA Havushe Aliu, nëna e Erxhanit.

Babai i Erxhanit Hisniu, tha se edhe pas 16 vitesh, atyre u rri akoma para syve pamja e shkatërruar e të birit, ata e përjetojnë shumë rëndë këtë ditë, ku pas një dhimbjeje të madhe për të birin, policia i ka arrestuar atë dhe vëllain e tij, duke i mbajtur në burg për më shumë se katër muaj.

“Neve 12 gushti, në kujtohet si ditë më e vështirë në jetën tonë na kanë vra, na kanë burgos, na kanë malltretuar, 12 gushtit djali mu vra. Pas dy ditëve neve na kanë burgosur, pa asnjë fajvsikur kemi qenë tek xhaxhai kur i kemi dëgjuar krismat, e ndjemë disi, provuam të kontaktojmë në telefon, telefonat mbyllur. Nëpër plumba kemi vrapu me djalin e xhaxhait, kur kemi shkuar në shtëpi, e kishte pas dërguar djali tjetër i xhaxhait, e kishin pas vra. Copa copa ka qenë, nuk mund ta shikoje.”, ka deklaruar Hisni Aliu, babai i Erxhanit.


Viktimat e tjerë të masakrës së Lubotenit janë edhe Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami dhe Atulla Qaili.

Gjithashtu në këtë periudhë në Luboten u dogjën edhe 14 shtëpi të fshatit, ndërsa u arrestuan dhe keqtrajtuan mbi 100 banorë të tjerë të fshatit, me arsyetimin se në fshat ishin të pranishëm pjesëtarë të UÇK-së.

Për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë, Tribunali Ndërkombëtarë për Krime Lufte dënoi me 12 vjet burg ish-pjesëtarin e lartë të forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovski, për vrasje, thyerje të ligjeve të luftës, torturë dhe shkatërrim të pasurisë, ndërsa i akuzuari i parë ish-ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski u lirua nga akuza. Tarçullovski pas mbajtjes së 8 viteve burg është liruar.
Shtuar më 11/08/2017, ora 18:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori