Kuçi: Shteti të fokusohet te mërgimtarët në tërheqjen e investimeve
Menderes Kuçi
Maqedonia në raport me tërheqjen e investimeve të fokusohet tek mërgimtarët sespe ata janë njerëz që e njohin vendin, e duan dhe i besojnë, thotë kryetari i Odës Ekonomike për Maqedoninë Veriperëndimore, Menderes Kuçi në intervistën javore të Radios Evropa e Lirë.

"Nëse nuk është nga rajoni ynë, nëse nuk i njeh rrethanat ose nuk e njeh mentalitetin tonë, me këto informacione që i ka, nuk do të jetë e lehtë që të vendosë të investojë në vendin tonë. Prandaj duhet që të fokusohemi te mërgimtarët tanë jashtë dhe në rrethinën tonë. Duhet që të fokusohemi te ato projekte të mesme dhe të vogla duke pasur parasysh se edhe statusi i vendit tonë me emër të papërcaktuar, me pozitë të papërcaktuar në komunitetin ndërkombëtar dhe me status të papërcaktuar në integrimet euroatlantike, në një farë mënyre ndikon negativisht në atë që nënkupton investim", theksoi Kuçi.

Sipas tij, shteti tani për tani nuk bën sa duhet që të tërheqë investimin e mërgimtarëve.

Kryetari i Odës konsideron se lirimi i borxhit nga ekonomia shkon ngadalë sepse theksi vihet te pensionet dhe subvencionet.

"Harrohet që eksportuesit tanë nuk i marrin paratë e tyre në kohë pas, ndërsa për to nuk duhet që të ketë asnjë pritje sepse dihet, malli e ka kaluar kufirin, është eksportuar dhe ato mjetet duhet menjëherë të kthehen dhe prandaj ne si odë duhet ta falënderojmë Qeverinë e cila në një farë mënyre e nxit eksportin. Në të kundërtën, ajo e dënon eksportuesin. Ne nuk kërkojmë mjete shtesë për nxitjen e eksportit në momentin kur nuk i kemi, por kjo do t ishte një ndihmë shumë e madhe për eksportuesit në këtë kohë krize ku në të gjitha anët mungojnë paratë", deklaroi Mendres Kuçi në intervistën për Radion Evropa e Lirë.
Shtuar më 14/07/2013, ora 15:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori