Ku përfunduan kryetarët e PPD-së?
Pëlqej
Partia për Prosperitet Demokratik
Abonohu për lajmet me e-mail:
E-maili juaj:      Tani, kontrolloni e-mailin tuaj dhe konfirmoni abonimin!
Partia për Prosperitet Demokratik, e cila tani ekziston vetëm formalisht, është partia e vetme shqiptare që ka ndërruar më shumë drejtues, duke filluar që nga Nevzat Halili, Xheladin Murati, Abdurrahman Haliti, i ndjeri Imer Imeri, Abdylmenaf Bexheti dhe Abdulhadi Vejseli.

Dikush pati fatin të gëzojë pensionin e politikanit e dikush tjetër përfundoi karrierën si “humbës” i disa cikleve zgjedhore. Jo të gjithë liderët e partive politike shqiptare kanë pasur fatin e njëjtë, përfshirë këtu edhe kryetarin e parë të partisë së parë të shqiptarëve në Maqedoni, Nevzat Halili, i cili megjithatë nuk heq dorë nga Referendumi i vitit 1992. Disa u tërhoqën vetë, disa të tjerë u larguan nga ulësja e parë e partisë, ndërsa të tretët vazhdojnë të veprojnë edhe përkundër goditjeve të kohës, por larg politikës.

Lideri i parë politik i shqiptarë të Maqedonisë, i cili në historinë moderne të shqiptarëve do të mbahet mend si figura e parë që theu akullin politik pas ndarjes së Maqedonisë nga ish Federata jugosllave. Nevzat Halili ishte kryetari i parë i Partisë për Prosperitet Demokratik, e cila u themelua në prill të vitit 1990, në fshatin Xhepçisht të Tetovës. Edhe pse për rreth 4 vite ka qëndruar në krye të kësaj partie, Halili nuk arriti të ulet në asnjë funksion, madje nuk ishte as në mesin e grupit të parë parlamentar që doli nga zgjedhjet e para demokratike të vitit 1991. Nevzat Halili mbahet mend poashtu edhe për dy zhvillime kryesore që kanë mbetur në memorien e shqiptarëve të Maqedonisë, fluksi i madh i mërgimtarëve që u kthyen në vendlindje për të mbështetur partinë e parë shqiptare në zgjedhjet e vitit 1991 dhe nismën për autonomi të shqiptarëve të Maqedonisë. Kjo nismë, për të cilën kryetari i PPD-së asokohe, Nevzat Halili, zhvilloi edhe një referendum, nuk u jetësua, ndërsa në vitin 1994 edhe u largua nga kreu i partisë dhe në vend të tij përkohësisht u zgjodh Xheladin Murati.

Nevzat Halili nuk heq dorë nga “Ilirida”
Edhe përkundër dështimit institucional asokohe dhe largimit nga posti i kryetarit të partisë, Nevzat Halili nuk hoqi dorë nga ideja e tij të cilën vazhdon ta kërkojë edhe sot. Pas largimit nga PPD, Nevzat Halili themeloi Partinë Republikane për Unitet Popullor (PRUP), por nuk arriti të fitojë asnjë ulëse në Parlament në disa cikle zgjedhore, përfshirë edhe ato të vitit 2002 kur për herë të fundit garoi me listën e saj kjo parti. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2009, Nevzat Halili, paralajmëroi i pari kandidaturën e tij për president të Maqedonisë, por nuk hyri në garë për shkak të pamundësisë për të siguruar 10 mijë nënshkrime të nevojshme për shpallje zyrtare të kandidaturës. Sot ai drejton Lëvizjen Kombëtare Shqiptare të Iliridës, një formacion qytetar-politik që në janar të vitit 2009 shpalli edhe Republikën e Iliridës, ku kryetar u zgjodh vet ai. Gjatë katër viteve të fundit, Halili ka qenë aktiv në jetën politike, por jashtë institucioneve, duke përsëritur disa herë kërkesën për federalizmin e Maqedonisë dhe shpalljen e Republikës së Iliridës. Mirëpo, nismat e tij të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, nuk kanë pasur jehonë në opinion dhe nuk kanë gjetur mbështetje edhe tek subjektet e tjera politike shqiptare. Formacioni politik dhe Republika e vetëshpallur e Iliridës janë aktiviteti kryesor me të cilin sot merret Nevzat Halili, i cili madje ka formuar edhe Qeverinë ilegale të Iliridës. Më herët Halili ka punuar si ligjërues i gjuhës angleze në Gjimnazin e Tetovës, ndërsa gjatë viteve të fundit nuk punon askund.

Abdurrahman Aliti - lideri dhe diplomati i pensionuar
Pas shkarkimit të Nevzat Halilit nga posti i kryetarit të PPD-së, në vitin 1994, në krye të kësaj partie përkohësisht emërohet Xheladin Murati, i cili qëndron në këtë post për disa muaj, kur Kuvendi i partisë zgjedh për kryetar Abdurrahman Aliti, një nga funksionarët më të lartë dhe deputet i kësaj partie që nga përbërja e parë parlamentare. Aliti është zgjedhur deputet i PPD-së për tre mandate radhazi, që nga viti 1991 deri në vitin 2002. Më pas ai emërohet ambasador i Maqedonisë në Sofje të Bullgarisë, post të cilin e ushtroi deri parvjet. Aktualisht Abdurrahman Aliti ka pushuar të gjitha aktivitetet e tija politike, ndërsa kohë pas kohe, në mediat e vendit është paraqitur si analist politik dhe i çështjeve diplomatike. Ish ambasadori i pensionuar i është kthyer jetës të një qytetari të rëndomtë. Të gjithë ata që kohë pas kohe interesohen për të ditur se ku ndodhet Aliti, në kryeqytet apo diku jashtë vendit, marrin një përgjigje nga banorët e vendlindjes së tij, fshatit Zhelinë: Abdurrahmanin mund ta gjeni te kafja në qendër të Zhelinës, çdo mëngjes duke pi kafe me bashkëfshatarët dhe më pas duke u marrë me punët e përditshme familjare.

Imer Imeri, nënshkruesi i Marrëveshjes së Ohrit
Pas largimit të Abdurrahman Halitit, në krye të Partisë për Prosperitet Demokratik në vitin 2000 zgjidhet Imer Imeri, i cili në vitin 1993 ka qenë zëvendësministër i Shëndetësisë në Qeverinë LSDM-PPD. Imeri ka qenë poashtu ish i përndjekur dhe i burgosur politik, ndërsa në periudhën 1989-1990 ka marrë pjesë aktive në formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në vitin 2001, në cilësinë e kryetarit të PPD-së, Imer Imeri ka qenë një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Prizrenit, bashkë me kryetarin e ndjerë të PDSh-së, Arbën Xhaferi dhe përfaqësuesin e atëhershëm të UÇK-së, Ali Ahmeti. Pas kësaj, Imer Imeri ishte edhe një nga nënshkruesit e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001 në Maqedoni. Për një kohë të gjatë ka punuar si mjek në vendlindjen e tij në fshatin Çegran të Gostivarit, ndërsa në qershor të vitit 2008 ndërroi jetë në moshën 66 vjeçare.

Abdylmenaf Bexheti, nga politika në Akademi
Pas largimit të Abdurrahman Halitit, në krye të Partisë për Prosperitet Demokratik në vitin 2003 erdhi Abdylmenaf Bexheti. Paraprakisht si kuadër i po kësaj partie, ai ka qenë ministër i Transportit dhe Lidhjeve deri në vitin 1998. Në krye të PPD-së, Bexheti qëndroi vetëm një vit e gjysmë, ndërsa për shkak të angazhimeve akademike, në vitin 2004 dha dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryetarit të partisë. Që atëherë, Abdylmenaf Bexheti i është përkushtuar kryesisht botës akademike, si studiues i ekonomisë. Viteve të fundit, Bexheti ka qenë ligjërues i ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore ku aktualisht është edhe prorektor. Abdylmenaf Bexheti njihet si eksperti shqiptar më me zë në fushën e ekonomisë, ndërsa në opinion kanë bërë jehon analizat, studimet dhe parashikimet e tij për ekonominë vendore. Shumica prej tyre janë publikuar edhe në shumë revista prestigjioze botërore nga sfera e financave dhe ekonomisë, të arritura këto që vitin e kaluar kulminuan me zgjedhjen e tij për anëtarë më të ri të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë. Që nga viti 2004 Bexheti është tërhequr krejtësisht nga politika, ndërsa së fundmi janë rritur gjasat për rikthimin e tij në politikë. Ai brenda kësaj jave pranoi se ka marrë ftesë nga RDK-ja për t’u kandiduar në zgjedhjet e ardhshme lokale për kreun e Tetovës, për çka vendimin përfundimtar pritet ta merr gjatë ditëve në vazhdim.

Abdyladi Vejseli - afaristi që “shijoi” politikën
Pas largimit të Abdylmenaf Bexhetit në vitin 2004, kryetar i Partisë për Prosperitet Demokratik zgjidhet Abdyladi Vejseli. Ai njëherësh ka qenë deputet i kësaj partie që nga zgjedhjet e vitit 1994, ndërsa është rizgjedhur në këtë post për 14 vite radhazi, në zgjedhjet e vitit 1998, 2002 dhe 2006. Jashtë politikës, Vejseli njihet edhe si afarist, pronarë i kompanisë “ATA”, nën ombrellën e së cilës kanë vepruar disa ndërmarrje nga sektorë të ndryshëm. Në zgjedhjet e vitit 2006 Vejseli zgjidhet deputet nga lista e përbashkët e BDI dhe PPD, ndërsa më pas braktis grupin parlamentar dhe iu bashkëngjit koalicionit qeveritar VMRO-PDSH. Në zgjedhjet e vitit 2008 Vejseli kadidon si bartës i listës së PPD-së për deputetë në njësinë e 6 zgjedhore, por partia e tij nuk fitoi asnjë mandat. Në vitin 2009 Vejseli iu bashkëngjit Partisë Demokratike Shqiptare, por vendimin e tij e kundërshtuan disa anëtarë të tjerë të cilët vendosën të vazhdojnë pa të veprimin e partisë. Për një kohë të shkurtë, Vejseli ka qenë edhe nënkryetar i PDSH-së. Pas largimit nga PDSH, Vejseli distancohet edhe nga jeta politike në vend dhe i kthehet biznesit.

Sefedin Haruni, kryetari i fundit i PPD-së
Sefedin Haruni është kryetari i fundit i Partisë për Prosperitet Demokratik, ndërsa erdhi pas largimit të Abdyladi Vejselit në PDSH. Haruni ka qenë deputet i kësaj partie në dy përbërje të Parlamentit, 1994-1998 dhe 1998-2002. Gjatë qëndrimit të tij në krye të partisë, PPD pësoi humbjen e dytë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011, kur nuk arriti të sigurojë asnjë ulëse në Parlament. Sefedin Haruni kohë më parë nga Komisioni për verifikimin fakteve u shpall bashkëpunëtorë i ish shërbimeve të sigurimit shtetëror, ndërsa vendimin e parë të komisionit e rrëzoi Gjykata Administrative. Më pas me vendim të njëjtë kundër Harunit doli përsëri Komisioni për verifikimin e fakteve, duke vepruar në bazë të ligjit të ri për lustrim i cili është vlerësuar si kontrovers në opinion, pasi në vete përmban shumicën e neneve që Gjykata Kushtetuese i abrogoi kohë më parë dhe në bazë të njëjtave Haruni kishte fituar fillimisht “pafajësinë” nga Gjykata Administrative. Aktualisht Sejfedin Haruni, ashtu si edhe partia që drejton ai, janë të tërhequr dhe vitin e fundit nuk janë aktiv.

Liderët e “vegjël” që nuk dorëzohen
Bardhyl Mahmuti dhe Hysni Shaqiri janë dy figura politikë, drejtues të dy partive jashtëparlamentare, të cilët megjithatë nuk heqin dorë nga tendencat për të hyrë në mënyrë aktive në jetën politike në vend. Bardhyl Mahmuti mbahet mend si ministër i parë në Qeverinë e përkohshme të Kosovës, të krijuar nga përfaqësuesit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi. Në vitin 2006 Mahmuti u kthye në vendlindjen e tij në Tetovë duke u inkuadruar në Partinë Demokratike Shqiptare, por pas zënkave brendapartiake ai braktis radhët e kësaj partie dhe themelon Bashkimin Demokratik Shqiptar. Në dy ciklet e zgjedhjeve parlamentare, ato të vitit 2008 dhe 2001, dhe në zgjedhjet lokale të vitit 2009, partia e drejtuar nga ai, nuk arriti të sigurojë asnjë mandat, ndërsa në zgjedhjet e fundit zyrtarisht shpalli moratorium. Bardhyl Mahmuti paralajmëroi kthimin e tij në skenën politike në Maqedoni kohë më parë, pas paralajmërimeve për formimin e bllokut të tretë të partive shqiptare, RDK-DR-BDSH. Pas dështimit të kësaj nisme, mbetet i pasigurt riaktivizimi i BDSH-së. Ai aktualisht qëndron në Zvicër, ku dhe ka vepruar për një kohë të gjatë, si gjatë lëvizjeve shqiptare në ilegalitet ashtu edhe më pas. Hysni Shaqiri, ish deputet i Partisë Demokratike Shqiptare, në vitin 2001 braktisi Parlamentin dhe iu bashkëngjit Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Më pas u rikthehet në politikë, duke fituar një mandat tjetër deputeti, kësaj radhe duke u zgjedhur si deputet i Bashkimit Demokratik për Integrim, si dhe nënkryetar i Parlamentit. Pas pakënaqësive nga veprimi i partisë, Shaqiri në vitin 2005 braktis BDI-në dhe më pas formon partinë Forcat e Reja Demokratike me të cilën garoi në zgjedhjet parlamentare të vitin 2006. Pas bashkimit me Partinë Demokratike Kombëtare, Shaqiri zgjidhet kryetar i partisë të lindur nga ky bashkim, Bashkimi Demokratik Kombëtar. Si kryetar i BDK-së, Shaqiri garoi edhe në zgjedhjet e vitit 2008 dhe ato të vitit 2011, por nuk arriti të kthehet në Parlament. Partia që drejtoi ai dështoi edhe në zgjedhjet e fundit lokale. Hysni Shaqiri vazhdon të jetë kryetar i kësaj partie edhe sot, edhe pse me një intensitet më të ulët të veprimit në skenën politike. /Arben Zeqiri, koha/
Shtuar më 21/12/2012, ora 12:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori
 
Tauland dhe Granit Xhaka janë dy vëllezërit që përballen në skuadra të ndryshme për herë tëparë në një Kampionat Evropian

Tauland dhe Granit Xhaka janë dy vëllezërit që përballen në skuadra të ndryshme për herë tëparë në një Kampionat Evropian