Humbi jetën për shkak të Covid-it, flet bashkëshortja e dr. Gerit: Para se të futej në intubim, përmendte djalin

Dritare TV realizoi një dokumentar që i kushtohet mjekut endokrinolog Gerond Husi, i cili dha jetën në krye të detyrës pas infektimit nga Covid-19. Bashkëshortja e doktor Gerit, Matilda Kelmendi, kujton dhe tregon mes dhimbjes jetën me doktor Gerin, si dhe rrugën e tyre bashkë në profesion dhe në familje.

“Geri ka qenë personi i parë që unë kam parë kur kam hyrë në repartin e endokrinologjisë, në statusin e një mjekeje të re që po shkoja për t’u specializuar. Ishte një ditë vizitash të përgjithshme dhe personi i parë që takova ishte ai. Gjithmonë me atë vëmendjen se kush hynte dhe dilte në pavion, ndërkohë shumë i përqëndruar tek i sëmuri brenda në pavion. Gjithmonë i gatshëm për t’u përgjigjur çdo nevoje të gjithkujt.

Te Geri, djali gjente bashkëpunëtorin e gjërave të ndaluara. Unë nuk jam natyrë e ashpër, por unë isha më tepër me Ergin pas pune, dhe si të thuash isha unë diktatori i shtëpisë, kurse Geri ai që i lejonte gjërat e ndaluara. Kishte raste kur Geri vinte i lodhur nga puna dhe shtrihej, por kur Ergi i thoshte “Babi dua të provoj atë picën tënde”, ai pa përtuar ngrihej t’i plotësonte dëshirën djalit.

Do e kryente 24 orë shërbimin te pacientët dhe njerëzit që kishin nevojë, ndërsa unë kam qenë gjithmonë e ndarë në dy kohë, një kohë e plotë me punën dhe pjesa tjetër me djalin dhe familjen. Sigurisht ai nuk mungonte asnjëherë së qenuri me ne për çdo nevojë. Ergi ishte kompletimi i kryeveprës që ne të dy kishim bërë. Ishte kati më i lartë i kështjellës sonë së bashku. Ajo ka qenë periudha më e bukur e jetës sime. Unë kisha një strehëz ku mund të strukesha, për të ndjerë të gjitha kënaqësitë e jetës dhe për t’u mbrojtur nga çdo vështirësi apo furtunë, që mund të na sillte momenti, që ishin krahët e tij dhe familja ime. Kishim motivin për të ecur përpara që ishte djali, për ta shkolluar për ta edukuar, që ai të merrte më të mirën e botës përreth.

Mund të vendoste limite, por te Geri nuk kishte limite. Ergi nuk i shfaqte dobësitë e tij në sy të të atit, donte të ishte në perfeksion përballë tij. Kjo gjë ndonjëherë mua më vinte në vështirësi, pasi te Geri doja që djali të mos shihte vetëm babain, por edhe shokun. Nga ana tjetër ky perfeksion që Ergi shihte tek i ati, e pengonte që ai të shfaqej në të gjitha dimensionet e tij, duke e stepur në lidhje me gabimet e tij.

Geri sa ishte gjallë ndoshta nuk i mori, por tani që nuk është më ka marrë shumë dashuri, sepse ka marrë dashurinë e të gjithë njerëzve që e kanë dashur, duke ndihmuar edhe mua me Ergin me gjithë mbështetjen e miqve të tij. E kam me vete në çdo çast. Nëse më parë e dija që ishte në punë dhe kishim momente shkëputje nga njëri-tjetri deri sa mblidheshim në darkë në shtëpi. Tani unë e kam në çdo moment e në çdo sekondë me vete, ndoshta sepse nuk kam arritur ende ta pranoj faktin që nuk e kam më.

Kam ende përparësen që nuk ia kam larë, pasi erdhi nga puna dhe nuk ndihej mirë. Këto më rizgjojnë një dhimbje të madhe, që e kuptoj se çfarë kam humbur.

Nëse kishte një mesazh që ma la edhe kur iku, ishte: “Miqtë, shokët janë bekim në këto ditë të tmerrshme, edhe në ditët e hallit.” Të gjithë e kanë treguar që në momentin që ishim atje në një humnerë vështirësie, e treguan që nuk kursyen veten e tyre edhe kur e përcollën, megjithëse në kohë kovidi, e treguan që e mbuluan me lutje dhe me lule. E tregojnë tani, kur ma sjellin pranë Gerin, me humorin me optimizmin, me çdo gjë që kishte ai.

Në momentet kur jam e mërzitur, unë kthej kokën nga Ergi dhe shikoj që kam zemrën e Gerit aty. Shikoj që kam gjakun e tij aty, shikoj dhe kujtoj ato çastet e fundit përpara se ai të futej në intubim, mesazhi i tij i vetëm ishte: “Djali, djali, djali!”

Të besojmë, ta duam njëri tjetrin. Unë e them gjithmonë, sidomos për lidhjet e ngushta familjare, të rrojmë më shumë me njëri-tjetrin dhe gjithmonë të shprehim dashurinë që kemi për secalin nga ne, brenda familjes, jashtë saj, në punë e kudo”,  thotë në mesazhin e saj në daljen e vetme për media, doktoresha Matilda Kelmendi, bashkëshortja e doktor Gerit./Dritare.net


Shtuar 14.03.2022 19:26