Kryqi në Butel/ Ekspertët: Kushtetuesja, me standarde të dyfishta
Vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese për të mos e vlerësuar kushtetutshmërinë e kryqit në Butel, është komentuar në mënyra ta ndryshme nga ana e ekspertëve juridik.

Bekim Kadriu vlerëson se vendimi i gjykatës është i drejtë pasi bëhet fjalë për një akt individual dhe për këtë arsye ajo nuk është kompetente për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së akteve individuale por vetëm të akteve të përgjithshme juridike.

Por sipas tij Gjykata Kushtetuese nuk është koherente në marrjen e vendimeve të drejta dhe këtë e bën vetëm me raste, gjë që flet për standarde të dyfishta të kësaj gjykate.

“Behet fjalë për një pengesë që Gjykatës Kushtetuese i mohon të drejtën të jetë kompetente për këtë çështje.

Kjo nuk është për mua fare shqetësuese… më tepër është shqetësues fakti që Gjykata Kushtetuese megjithatë jo çdo herë e ka respektuar këtë qëndrim, pra ne dimë raste kur gjykata kushtetuese në mënyrë selektive ka pranuar të shqyrtojë kushtetutshmërinë e ndonjë vendimi individual për shembull atë të kuvendit të Republikës së Maqedonisë”, tha eksperti juridik Bekim Kadriu për Alsat-M.

Ndërsa Mersim Maksuti shkon përtej kësaj duke vlerësuar mbi të gjitha misionin fondamental të kushtetutës së një vendi i cili është sigurimi i harmonisë dhe mbrojtjes së qytetarëve.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që i ik kompetencës për të vendosur në rastin konkret nuk është në rregull, nuk ka as logjikë juridike dhe i ikën kompetencës së saj që duhet ta shtrojë për arsye se Gjykata Kushtetuese duhet të merrte parasysh faktin se vendimi i këshillit komunal të Komunës së Butelit që lejoi ndërtimin e kryqit ishte një vendim i gabuar për arsye se ky vendim u morr në bazë të ligjit që lejon ndërtimin e infrastrukturës lokale dhe kryqin si objekt e futi në kategorinë e çdo objekti tjetër që ndërton komuna.

Ky ishte gabimi”, tha eksperti i të drejtës kushtetuese Mersim Maksuti.

LR-PDSH nuk pajtohet me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese duke e konsideruar atë si ikje nga përgjegjësia që ka si institucion ndërsa të njëjtin e konsideron si instrument që pushteti e përdor për të justifikuar krimet e veta.

Debati mbi vendosjen e Kryqit në Butel u shoqërua me protesta dhe kundër-protesta ndërsa si nismë buron nga Kongresi Botëror Maqedonas i Todor Petrovit e aprovuar nga ana e Komunës së Butelit. /albeu.com/
Shtuar më 29/09/2016, ora 19:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori