Kryesia e VMRO-së kërkon pasaportat: Nuk do arratisemi!
Ata nuk ndjehen fajtorë, nuk kanë ndërmend të arratisen, e as të ndërhyjnë në procedurat gjyqësore.

Anëtarët e kryesisë së VMRO-së, Nikolla Gruevski, Gordana Jankulloska, Mile Janakieski dhe Kiril Bozhinovski u ankuan sot para Gjykatës së Apelit për masat e kujdesit dhe kërkojnë gjykata t’ua kthejë pasaportat.

Të gjithë janë të akuzuar në rastin Titanik për bashkim kriminal, shpërdorim të parave në fushatën zgjedhore dhe shkelje të së drejtës për të votuar.

I pandehuri i parë Nikolla Gruevski këmbënguli që gjykata t’ia pranojë ankesën, sepse pasaporta i duhet për të lobuar te partitë simotra jashtë vendit në prag të zgjedhjeve lokale. Ai paralajmëron fitore në zgjedhje dhe deklaroi se nuk do arratiset.

”Unë u shfaqa këtu për t’u përgjigjur në të gjitha gënjeshtrat dhe të pavërtetat e tyre që i thanë në periudhën e kaluar dhe tu tregoj se planifikoj në zgjedhjet e ardhshme të fitoj si lider i partisë politike dhe përsëri OBRM-PDUKM të kthehet në pushtet, e jo të ik nga vendi” deklaroi Nikolla Gruevski, i dyshuari i parë në “Titanik”.

I njëjtë ishte edhe prononcimi i ish-ministres së Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska.

Unë në rastin tim nuk kam dhënë ndonjë arsye që të propozohet çfarëdo mase për mua, e lëre më të shqiptohet një masë e tillë.
Megjithatë, unë besoj në objektivitetin e gjykatës dhe besoj se gjyqtarët do të punojnë në bazë të ligjit, në bazë të argumenteve dhe sipas fakteve duke mos u solidarizuar në përmbushjen e ndonjë agjende politike – tha Gordana Jankulovska, e dyshuar në “Titanik”.

Ish-sekretari i Qeverisë, Kirill Bozhinovski gjithashtu e kërkoi pasaportën e tij dhe në gjykatë tha se nuk ka më ndërmend të mbajë poste publike. Mile Janakieski, me këmbëngulje përsëriste se nuk ka ndikuar mbi dëshmitarët. Dhe, derisa ata përpiqen ta bindin gjykatën për t’ua kthyer pasaportat, Prokuroria Speciale Publike përsëri insistoi në paraburgim.

Nga Specialja thonë se Gruevski nuk paraqitet për tu marrë në pyetje, për procesverbalin për dëshmi të dëshmitarit i cili doli në publik, e dyshojnë Janakieskin, ndërsa për Jankullovskën vlerësojnë se mund të arratiset për shkak të lidhjeve me funksionarë nga vendet e tjera. Nga Specialja thonë se më së shumti kërkohet paraburgim për shkak të rrezikut të ndikimit mbi dëshmitarët.

Ne besojmë se ky ndikim që kanë në sferën e tyre nëpër funksionet që i kryejnë në parti dhe ajo që tashmë është bërë publike në media, se ndikojnë në dëshmitarët tanë në lidhje me deklaratat e tyre që duhet ta japin në seancën kryesore – u shpreh Gavril Bubevski, prokuror i Speciales.

Nga pesë të pandehurit në rastin Titanik, sot nuk u shfaq vetëm ish-shefi i kabinetit të Gruevskit, Martin Protugjer, për të cilin mbrojtja paraqiti një vërtetim mjekësor se ishte i sëmurë.

Në 48 orët e ardhshme gjykata duhet të vendosë nëse të akuzuarve do tua kthejë pasaportat. /Alsat-M/
Shtuar më 21/07/2017, ora 23:28

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori