Kryeministri Gruevski i përfaqëson shqiptarët me aktorë
nga Lavdrim Lita

Tallja cinike e kryeministrit Gruevski me shqiptarët shtetformues në Maqedoni pati një akt tjetër teatral.

Emrat e tre shqiptarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të emëruar nga presidenti Gjorgje Ivanov janë aq të pavarur sa nuk i duhen askujt, aq më pak partive shqiptare. Një aktore, një profesor dhe një gjeneral në Këshillin e Sigurisë Kombëtare janë si tre aktorët tek filmi “I miri, I keqi dhe I bukuri”, i regjisorit të famshëm Sergio Leone. Kësisoj shqiptarët, edhe përkundër bojkotit nga subjektet politike shqiptare, do t’i përfaqësojnë zj.Flora Kadriu, z. Veli Kreci dhe z. Naser Sejdini.

Kuptohet vetiu, edhe këta tre shqiptarë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare që përformojnë bukur përpara kamerave në fund të fundit janë “aktorë” që iu caktohet një rol i mirëstudiuar dhe i mirëpaguar.

Regjisori i talentuar z. Gruevski e ka gati skenarin e lëshimit të BDI-së për të marrë në qerre PDSH-në, ose anasjelltas sipas rrethanave.

Dhe nëse nuk e ka këtë skenar, z. Gruevski po luan një bllof prej pokeristi të regjur. Ai i la të priste presidentin Ivanov dhe antarët e rinj të këshillit të Sigurisë për 50 minuta sepse “pritja” dhe “vonesa” dëshmon se kush komandon.

Ndërkohë komenti i parë i mediave shqiptare në Maqedoni përkufizohej në faktin që BDI-ja ia konteston legjitimitetin presidentit Ivanov dhe se “ajo nuk ka deleguar përfaqësues të saj apo zyrtarë të institucioneve më të larta shtetërore.

Por, nga ana tjetër, edhe z. Ivanov nuk ka përfillur qëndrimet e kësaj partie, duke theksuar se në përputhje me Kushtetutën ai do të caktojë përfaqësuesit shqiptarë”.

Reagimi i parë BDI-së përmes Sekretari i Përgjithshëm Abdilaqim Ademi ishte se, “situata e sigurisë nuk është shfaqje teatrale dhe serial spanjoll apo shou televizivë që të emërojë njerëz pa legjitimitet dhe jokompetent”.

Padyshim formimi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare pa antarët e sugjeruar të partisë shqiptare në qeveri, e cila ka legjitimitet votash demokratike dhe jo fjalësh pazari, është një tallje cinike për seriozitetin e kësaj situate.

Korniza kushtetuese për përfaqësimin e bashkësive etnike në institucionet kyç nuk mund të reduktohet në një proces emërimi pa konsultime demokratike me aktorët partnerë në koalicion dhe qeveri.

Si duket rëndësia shtetformuese e shqiptarëve në Maqedoni nuk po merret seriozisht nga shtetarët maqedonas sepse shqiptarët nuk e marrin vetveten seriozisht.

Nuk ka rëndësi më as fakti që partitë politike shqiptare hipin në qeveri apo zbresin në opozitë pasi hisja e tyre “shtetformuese” është e paracaktuar sipas kufijve të thanës së kryeministrit Gruevski.

Sido që të jetë, shqiptarëve të Maqedonisë nuk u ka faj askujt që situata e përfaqësimit të tyre në institucione të rëndësishme merr herë pas here trajta qesharake dhe teatrale. Ata janë kurdoherë përgjegjës për elitat që prodhojnë dhe lejimin e ngritjes së individëve pa përkrahje kombëtariste. /albeu.com/
Shtuar më 02/10/2014, ora 14:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori