Bën punë bllokada, Maqedonia kërkon zgjidhje
Update- Ministria e Tregtisë dhe Industrisë para pak minutash njoftoi se sot, në Prishtinë pritet të zhvillohet një takim midis ministrave homologë të Kosovës e Maqedonisë, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për situatën e krijuar në tregtinë dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve e mallrave midis dy vendeve. Sipas njoftimit pritet të takohen ministrja Mimoza Kusari – Lila, dhe Valon Saraçini i Maqedonisë.

Me herët MTI sqaronte përmes një kumtese arsyet marrjes së vendimit për bllokimin e prodhimeve maqedonase për tregun e Kosovës, shkruan Koha Ditore.

“ Pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për vënien e masave penguese për hyrje të qytetarëve të Republikës së Kosovë, Qeveria e Kosovës, shpreh shqetësimin e thellë se problemet tregtare të inicuara nga vetë Republika e Maqedonisë, po prekin drejtpërdrejtë qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhej në kumtesë, e cila vazhdon:

Në këtë situatë të krijuar, Qeveria e Kosovës, insiston që raportet të zgjidhen vetëm në rrugë institucionale dhe në raportet tregtare. Në asnjë situatë nuk dëshirojmë të pengojmë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës apo të Maqedonisë. Megjithatë, në situatën e krijuar Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ishin të shtyrë të marrin vendim për të ndaluar të gjitha mallrat e prodhuara në Maqedoni, deri në një zgjidhje më të qëndrueshme për të gjitha palët e involvuara.

Vendimi i ditës së djeshme ishte vendim i marrë pa dëshirën e palës kosovare por i domosdoshëm, pas situatës së krijuar në kufijtë e të dy vendeve.
Në të njëjtën kohë kërkojmë mirëkuptim nga bizneset kosovare për problemet e shkaktuara momentale në kufi.

Në ndërkohë do të synojmë të gjejmë zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme me Qeverinë Maqedonase, por ju njoftojmë se për momentin nuk kemi asnjë takim të paralajmëruar me palën maqedonase.

Qeveria e Kosovës është e përcaktuar të vazhdojë raportet e mira fqinjësore dhe marrëdhëniet e mira tregtare të bazuara në normat ndërkombëtare dhe ato të fqinjësisë së mirë, përfundon komtesa. /albeu.com/




...........................



13:15 - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës Mimoza Kusari Lila ka thënë se Kosova po pret nga Maqedonia që të lënë një takim të përbashkët për të biseduar rreth tensioneve të krijuara mes dy vendeve pas vendosjes së embargove tregtare.

Kusari- Lila ka konfirmuar për Zhurnal se kanë tentuar të organizojnë një takim, por po presin konfirmimin nga ana e Maqedonisë.

"Kërkesat e Kosovës janë që të hiqen të gjitha barrierat për lëvizjen e lirë të mallrave dhe të qytetarëve. Duhet që të kthehemi në pikën ku kemi qenë, kur mallrat kanë lëvizur lirshëm në kufirin Kosovë -Maqedoni. Synimi ynë është që kjo të zgjidhet sa më shpejt, por edhe që të kemi raporte të normalizuara edhe për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave", ka thënë Kusari - Lila. /albeu.com/
Shtuar më 09/09/2013, ora 16:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori