Kosova dhe Maqedonia promovojnë pullën e përbashkët postare
Filatelia e Postës së Kosovës dhe ajo e Postës së Maqedonisë, sot në Prishtinë kanë promovuar emisionin e parë të përbashkët të pullave postare kushtuar turizmit malor, gjegjësisht, Bjeshkëve të Sharrit, raporton AA.

Promovimi i sotëm i pullës postare të përbashkët të Postave të Kosovës dhe Maqedonisë, prezanton motivet e Brezovicës e cila i takon pjesës veriore të shpateve të Sharrit, në Kosovë, si dhe pjesës jugore të Maqedonisë, ku ndodhet ski qendra Kodra e Diellit (Popova Shapka).

Lansimi i pullave postare me mesazhin “Ejani dhe kënaquni me bukuritë e Sharrit, Brezovicës dhe Kodrës së Diellit në çdo kohë dhe gjatë tërë vitit” është kurorëzim i marrëveshjes për bashkëpunim në mes të dy ndërmarrjeve publike të dy shteteve, tha kryetari i Bordit të Drejtorëve të Postës së Kosovës, Halit Isufi.

Ai theksoi se misioni i Filatelisë së çdo shteti është që të promovoj vlerat dhe pasuritë nacionale përmes imazheve që përcillen nga pullat postare, ndërsa postat e Kosovës dhe Maqedonisë kanë zgjedhur të prezantojnë pamjet mahnitëse të Bjeshkëve të Sharrit pasi që ato shtrihen në të dyja anët e kufirit, të dy vendeve.

“Sharri është resurs shumë atraktiv me kushte klimatike që e bëjnë të përshtatshëm për turizëm, sport dhe rekreacion, gjatë tërë vitit. Është një zonë ideale për rekreacion dhe skijim gjatë dimrit, por shumë e përshtatshme edhe për ecjen në natyrë dhe çiklizmi malor, gjatë verës. Investimet e mëtejme në Bjeshkët e Sharrit, në të dyja vendet tona do të shndërrojë këtë pasuri natyrore në destinacionin kryesor të turizmit malorë në Ballkan dhe më gjerë” tha Isufi dhe shtoi se me këtë hap, postat e dy vendeve po japin kontribut simbolik në promovimin e turizmit malor të Sharrit, kësaj pasurie të përbashkët natyrore të dyja vendeve.

Sipas tij, lansimi i pullave postare të përbashkëta, me motive të Sharrit, është kurorëzim i marrëveshjes për bashkëpunim në mes të dy ndërmarrjeve publike të dy shteteve në fushën Filatelisë, me çka hapen dyert për zhvillimin e bashkëpunimit të mëtejmë edhe në të gjitha shërbime tjera postare-financiare të dy Postave, në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë.

Fadis Rexhepi, drejtori gjeneral i Postës së Maqedonisë tha se përmes kësaj pulle autorët na ofruan pamjet nga bjeshkët e Sharrit, Brezovicës dhe Kodrës së Diellit.

“Përmes kësaj pulle, autorët na ofruan pamjet nga bukuritë e rralla të Bjeshkëve të Sharrit, pamje nga Kodra e Diellit në Maqedoni dhe Brezovica në anën e Kosovës. Çdo pullë postare në vete mbanë rrëfim të prezantuar në një pjesë të vogël të letrës, të mbushur përplot me art, por me mundësi të qarkulloj gjithandej për të dërguar porosi. Veprimtaria postare tejkalon kufijtë. Ajo paraqet urë lidhëse mes vendeve dhe kulturave të ndryshme. Me këtë pullë postare, turizmit të të dy vendeve, Maqedonisë dhe Kosovës, u japim mbështetje dhe promovim të vazhdueshëm", tha ai.

Kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, duke theksuar se trevat tona, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia janë të njohura për bukuritë natyrore, shpjegoi se sensibilizimi dhe promovimi i këtyre bukurive është vendosur të bëhet edhe përmes pullave postare, sidomos tash kur jemi në prag të fillimit të investimit në nëdrtimin dhe zgjerimin e qendrës turistike malore të Brezovicës, si ski-qendrën më moderne në Ballkan dhe më gjerë.

“Qeveria e Kosovës ka filluar edhe fazën e investimeve në ski qendrën e Brezovicës, që ne presim të jetë një prej qendrave më të mira në rajon dhe Evropë, për sportin e skijimit, për ta zhvilluar sportin e skijimit dhe natyrisht që krahas këtyre zhvillimeve, ne si administrata postare po mundohemi që bukuritë tona natyrore t’i sensibilizojmë përmes pullave postare, siç është kjo”, tha Hoxha dhe shtoi se përmes kësaj pulle postare, Evropa dhe bota do të informohen se Kosova ka edhe vende të bukura dhe atraktive për sporte dimërore.

Në fund, kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha i dhuroi një pullë postare drejtorit të përgjithshëm të Postës së Maqedonisë, Fadis Rexhepit. /albeu.com/
Shtuar më 23/03/2016, ora 16:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori