Rrjeti fantazmë i gueriljeve anti-Putin

Nga Francesca Salvatore “Il Giornale

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Një rrjet i dendur ilegal i guerilasve po synon që të rrëzojë nga pushteti Vladimir Putinin.

Ky fakt konfirmohet nga deklaratat e Roman Popkov, njeriu që qëndron pas sulmit që vrau Vladen Tatarsky-n, blogerin rus që ishte një mbështetës i fortë i luftës në Ukrainë. Popkov dyshohet se e ka rekrutuar atentatorin në emër të shërbimit sekret të Kievit. Në një intervistë të gjatë dhënë për “Foreign Policy”, ai rrëfen planifikimin e sulmit, duke lavdëruar Darya Trepova, autoren që dyshohet se sakrifikoi veten për të kryer atentatin.

NRA dhe Rospartizan

Popkov ka qenë pjesëtar i grupimeve të ndryshme ekstremiste ruse, përpara se t’i kushtonte jetën rrëzimi të Putinit nga pushteti. Në vitin 2011, pasi u arrestua për pjesëmarrje në protesta kundër Kremlinit, ai zgjodhi të zhvendosej në banim në Kiev. Ai e pranon se është pjesë e rrjetit Rospartizan, që dyshohet se ka marrë pjesë në eleminimin e “propagandistit dhe kriminelit të luftës Vladen Tatarsky”.

Përgjegjësinë për të njëjtin sulm e ka marrë edhe grup tjetër i njohur si Ushtria Republikane Kombëtare (NRA). Deklaratat e Popkovi i japin fund dyshimeve mbi ekzistencën e pretenduar të një lëvizjeje guerile klandestine që vepron në Rusi.

Një udhëheqje sekrete pas lëvizjes?

Popkov kritikon gjendjen e aktivizmit rus në Ukrainë dhe e drejton gishtin nga diaspora intelektuale ruse në Evropë: “Ne në Ukrainë jetojmë nën sulmet raketore, ndërsa emigracioni politik rus në Evropë ulet nëpër kafene dhe merret vetëm me llafe”.

Duke i supozuar si të vërteta deklaratat e Popkov, ekziston një rrjet i dendur diversantësh të cilët që nga shpërthimi i luftës, merren me sulmet e zjarrvëniet, shkatërrimin e depove të magazinimit të armëve, sulmeve ndaj zyrave të rekrutimit ushtarak, nxjerrjen nga shinat të trenave dhe shumë akte të tjera sabotimi.

Këto janë veprime të ngjashme me atë të disa grupeve partizanësh që muajt e fundit kanë pretenduar autorësinë e misione të ndryshme: rezistenca e armatosur e Bashkirëve, e cila përzier ambiciet territoriale me betejën kundër Putinit; Korpusi Vullnetar Rus, që dyshohet se është përgjegjës për sulmin në rajonin Briansk dhe që drejtohet nga neo-nazisti Danis Kapustin; dhe ATESH, grupi që mori përgjegjësinë për sulmin ndaj shkrimtarit pro-Putin Zakhar Prilepin.

Hetimi i vërtetësisë së pretendimeve të këtyre grupeve është një mision i pamundur. Kjo mbi të gjitha për shkak të pranisë së tyre në rrjet, ku mbivendosen provat faktike dhe ato të pas-vërtetës. Akoma më komplekse është edhe zbulimi se kush i armatos këto formacione: Kievi? Shtetet e Bashkuara? Perendimi? Dhe nëse po, cili Perëndim nënkuptohet?

Por mbi të gjitha, a ka një koordinim real mes këtyre grupeve në Rusi, apo zhvillimet janë rastësore? Ish-deputeti rus Ilya Ponomarev, shërben shpesh si megafon për pretendime të caktuara, por ai nuk specifikon asnjëherë rolin e tij brenda çdo historie. Ai vetë ka deklaruar vazhdimisht se është i lidhur me të paktën 6 formacione partizane dhe është sponsori i tyre në korridoret e pushtetit në Kiev.

Por mënyra e tij e komunikimit dhe marrëdhëniet e tij të nënkuptuara me organizata të shumta klandestine, ka nxjerrë shpeshherë në pah një sërë dyshimesh legjitime mbi vetë ekzistencën e NRA-së, zëdhënësi i së cilës është pikërisht ai.

Për shembull të gjithë e kujtojnë përgjegjësinë që ai mori për sulmin ndaj Darya Dugina, pa e sqaruar gjithsesi shkallën e marrëdhënies së tij me atentatorin. Nga ana tjetër Popkov sqaron disa lidhje që ekzistojnë midis organizatave të ndryshme.

Shumë aktive në luftën ndaj Putinit janë edhe anarko-komunistët e Boak, lëvizja Stop the Wagon (Stw), Legjioni i Lirisë së Rusisë dhe madje edhe eksponentë të botës anarkiste që mendohet se kanë luftuar përkrah kurdëve në Siri.

Dhe nuk duhet të jetë e habitshme që e djathta ekstreme dhe e majta ekstreme bashkëjetojnë në këtë grupim rebelësh: Për të rrëzuar  Putinin ia vlen çdo lëvizje. Gjithsesi Popkov, është i prirur të sqarojë distancën operative dhe ideologjike midis Roszpartizanëve, Boak dhe neo-nazistëve të Trupave Vullnetare Ruse.

Projekti i Ponomarev

Nga studio e tij televizive në internet në Kiev, Ponomarev drejton emisionin “February Morning” (me një referencë të qartë ndaj fillimi të pushtimit rus) dhe menaxhon dhjetëra kanale në Telegram, përmes të cilave ai synon të nxisë propagandën anti-ruse nga jashtë.

Siç e ka deklaruar shpesh, synimi është të kontribuojë në humbjen ushtarake të Moskës përmes asaj që ai e konsideron një mini-web në gjuhën ruse të Al Jazeeras ku 60 për

qind e audiencës së saj banon në Rusi. Një projekt në të cilin ai u përpoq pa sukses të tërheqë investitorë, duke zgjedhur ta vetëfinancojë atë menjëherë pas pushtimit të Ukrainës.

Ponomarev thotë se veçoria e kanalit të tij, është se ai nuk i drejtohet diasporës ruse ose klasës politike, por qytetarëve të zakonshëm rusë, duke u ofruar atyre një vizion jashtë-kufitar: për ta bërë këtë, ai madje ka rekrutuar rreth 30 korrespondentë nga zona të ndryshme të Rusisë që punojnë në fshehtësi.

Çdo ditë qëllimi është të kundërshtohet makineria propagandistike e Kremlinit, duke sfiduar drejtpërdrejt vizionin që kanë rusët për veten e tyre. Se çfarë përfaqëson Ponomarev për rrjetin kompleks të guerilasve anti-Putin, kjo është e vështirë të kuptohet. Kontributi i tij, siç e pranon edhe vetë, luhatet midis ndihmës teknike dhe kundër-propagandës së Moskës. E sigurt është se nuk ka asnjë koordinim të këtyre operacioneve, dhe aq më pak të guerilëve të vetëquajtur.

Gjithsesi, kapilariteti, koordinimi, kontrolli i territorit dhe mbështetja nga skajet e popullsisë konvencionale, janë elementë themelorë për zhvillimin e çdo lloji “lufte çlirimtare”. Dhe nëse siç pretendon Ponomarev “kjo luftë nuk do të përfundojë në Ukrainë, por në Moskë”, partizanët e tij janë ende larg të qenit vërtet të tillë. /albeu.com


Shtuar 22.05.2023 21:41

Tags: