Kontrolle pa paralajmërim nëpër shkolla
Pas shumë viteve mungesë nëpër shkolla, inspektorët e arsimit dhe këshilltarët pedagogjik pritet ti kthehen më në fund misionit të tyre, atë të kontrollit sistematik të punës së shkollave. Qëllimi është që Inspektorati Shtetëror i Arsimit dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit, të mbikëqyrin në mënyrë permanente shkollat për të parë se deri në çfarë mase respektohen ligjet, të cilat rregullojnë procesin edukativo-arsimor.

Viteve të fundit jemi mësuar që inspektorët e ISHA-së t’i gjejmë nëpër shkolla vetëm për probleme politike dhe konteste të karakterit nacional, mirëpo asnjëherë për probleme thelbësore siç është mbarëvajtja e procesit arsimor. Shpresohet që prej muajit të ardhshëm, angazhimi i inspektorëve dhe pedagogëve të tejkalojë dimensionin politik (me të cilin janë karakterizuar deri tani) për të dhënë një kontribut më të madh në ngritjen e cilësisë së arsimit, shkruan "Koha.mk".

Me rekomandim të Qeverisë, prej muajit të ardhshëm do të nisin vizitat e inspektorëve të arsimit dhe këshilltarëve në të gjitha shkollat e Maqedonisë. Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës nuk dëshirojnë të zbulojnë detaje të këtij plani, për të mos humbur rëndësinë e veprimit.

"Kontrollet nëpër shkolla do të bëhen pa paralajmërime", thonë ata.

Drejtoresha e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, Ajshe Selmani pohon se vetëm janë në përgatitje të një Plani Aksionar për të caktuar dinamikën e punës dhe numrin e shkollave që do të kontrollohen sipas një rendi të caktuar. /albeu.com/
Shtuar më 12/02/2013, ora 18:01

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori