Kongresi amerikan shqetësohet për shqiptarët e Maqedonisë
Pëlqej
Lidhja qytetare Shqiptaro-Amerikane organizoi dje një takim për të informuar disa anëtarë të Kongresit amerikan mbi gjendjen në Maqedoni. Takimi u zhvillua ndërkohë që vëmendja e Kongresit amerikan është përqendruar te rreziku që përbën ISIS si dhe te gjendja në Ukrainë.

Tre anëtarë me ndikim të Dhomës së Përfaqësuesve, Ed Royce, Ileana Ros-Lehtinen dhe Dana Rohrabacher, morën pjesë në takimin e organizuar nga Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Ros-Lehtinen, ish-kryetare e komisionit të Dhomës për Marrëdhëniet me Jashtë, e përgëzoi Maqedoninë për zgjedhjet parlamentare të zhvilluara në muajin prill. Ajo tha se megjithëse Maqedonia është një ndër vendet më të varfra të Evropës Juglindore, ajo ka mundur të arrijë rritje ekonomike të qëndrueshme. Zonja Ileana Ros-Lehtinen, përgëzoi Maqedoninë edhe për faktin që ka ndihmuar me trupa koalicionin ndërkombëtar në Irak dhe Afganistan në të kaluarën.

Por ajo tha se do të dëshironte të dëgjonte se ç'mendojnë vetë shqiptarët e Maqedonisë.

"Pres të dëgjoj nga ju se çfarë mund të bëjmë ne në Kongresin amerikan për të nxitur reformat demokratike për të përmirësuar shoqërinë civile dhe si mund të shtojmë tregtinë mes dy vendeve tona".

Por Shirely Cloyes-Dioguardi e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane e shikon ndryshe çështjen. Ajo thotë se tani vëmendja e Kongresit amerikan është përqendruar te rreziku që përfaqëson ISIS, dhe kjo mund të bëjë që problemet në Maqedoni të lihen mënjanë dhe të acarohen më tej. Ajo tha se marrëveshja e Ohrit e nënshkruar në vitin 2001 nga SHBA dhe NATO-ja me udhëheqësit e partive shqiptare dhe maqedonase nuk po funksionon.

"Problemi është se janë materializuar vetëm pjesë shumë të vogla të marrëveshjes së Ohrit. Në gjendjen e tanishme ka mjaft racizëm, mosrespektim të të drejtave të njeriut dhe një sistem gjyqësor të mangët, në dëm të popullatës shqiptare", tha Dioguardi.
Shtuar më 21/09/2014, ora 13:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori