Kjo është shqiptarja që qëndron pas programit më të “famshëm” të Inteligjencës Artificiale në botë (VIDEO)

Nëse keni parë vërdallë në rrjetet sociale postime që thonë “Ky ishte rezultati që Inteligjenca Artificiale dha pasi ju kërkua të na tregonte fatin e Tokës” ose njerëz që flasin për ChatGP, programin më të famshëm në botë për momentin, duhet të dini që pas tyre qëndron një shqiptare. Mira Murati është sot shefe e Teknologjisë (CTO) në “OpenAI”, kompaninë që ka krijuar chatbot-in e Inteligjencës Artificiale (AI) ChatGPT.

Ermira Murati është nga qyteti i Vlorës dhe në vitin e dytë të gjimnazit fitoi të drejtën të studionte në Amerikë. U largua pikërisht në vitin 2005, pasi fitoi një konkurs që e organizonte në atë kohë Ambasada Amerikane. E ëma ishte mësuese letërsie dhe babai mësues fiskulure. Ata që e njohin thonë se që vogël ka patur premisa për lëndët shkencore dhe ka qenë gjithnjë e përkushtuar ndaj tyre në shkollë. Më pas, në SHBA ajo studioi inxhinieri në Universitetin e Inxhinierisë Thayer, në Dartmouth.

Pas edukimit dhe eksperiencës në punë të ndryshme, 35-vjeçarja që jeton në San Fancisko, ja doli të udhëheqë zhvillimin e projekteve të prodhimit të automjeteve të “Tesla Motors”, duke përfshirë modelin X, si dhe ka qenë në krye të nismave revolucionare në industrinë ajrore, duke mbikqyrur skuadrat e inxhinierisë dhe prodhimit të “Leap Motion”.

Aktualisht Murati është drejtuese e teknologjisë dhe operacioneve të “OpenAI”, kompania që ka krijuar modelin revolucionar ChatGPT dhe Dall-E, për të cilat po flisnim në nisje të artikullit. Për ju që nuk e dini, ChatGPT është një teknologji relovucionare që u lejon kompjuterëve të kuptojnë dhe t’i përgjigjen gjuhës së folur nga njerëzit. Kështu, ky model gjuhe kompjuterike është në gjendje të krijojë biseda krejt “normale” me një robot, t’u përgjigjet pyetjeve të njerëzve, të ndihmojë në shkrimin e një teksti, eseje, email-i apo edhe të kodojë.

Detyrat e inxhinieres shqiptare, përvecse të drejtojë, është të diskutojë pikërisht për rreziqet që mund të vijnë nga Inteligjenca Artificiale (AI) dhe njëkohësisht ofron siguri për ndikimin e kësaj teknologjie në të ardhmen e njerëzimit. Një temë kjo shumë e diskutuar ditët e sotme. Murati udhëheq ekipet e Dall-E, i cili përdor AI për të krijuar vepra arti bazuar në kërkesë, dhe ChatGPT, chatbot-in jashtëzakonisht popullor të AI, që mund t’u përgjigjet pyetjeve më të ndërlikuara me aftësi të frikshme njerëzore.


Shtuar 9.02.2023 17:45