Kodra: Protesta kombëtare dhe jo fetare
Pëlqej
Kryetari i Akademisë Shqiptaro- Amerikane të Shkencave, (The Albanian American Academy of Science – AAAS), prof.dr. Skender Kodra është shprehur se shqiptarët duhet të organizohen në Maqedoni përmes një platforme të pastër kombëtare dhe jo me simbolike që janë edhe të dëmshme kombëtare.

“Ne po ndjekim zhvillimet e fundit në Maqedoni sidomos gjendjen e rënduar të shqiptarëve. Jemi duke ndjekur edhe protestat për rastin ‘Monstra’ dhe pakënaqësitë e mëdha që janë akumuluar me vite pas konfliktit të vitit 2001, kur akoma nuk është avancuar pozita e shqiptarëve. Gjithë kjo pakënaqësi apo protestë duhet të ketë domosdoshmërisht një udhëheqje serioze intelektuale, që artikulon kërkesat kombëtare përmes një platform kombëtare, që ka si synim avancimin e çështjes kombëtare”, tha Kodra për INA.

Ai ka vënë në dukje se shqiptarët nuk duhet të ç'orientohen, por të kenë një kauzë për të cilët të demonstrojnë dhe të ngrenë fort zërin.

“Ne apelojmë për protesta por duke qenë i arritur një unifikim dhe përfshirje e intelektualëve shqiptarë që janë pjesë e botës akademike, letrare dhe që ka besimin e popullit, por duke përjashtuar figura të konsumuara politike që veprojnë sipas skenareve të ndryshme politike dhe fshihen pas petkut të qarqeve dhe interesave politike. Kjo nuk i duhet në këtë moment shqiptarëve. Intelektualët e vërtetë nuk duhet të fshihen në këtë moment të rëndësishëm historik dhe duhet t`i shmangen joshjeve dhe pozicioneve që u ofron situata aktuale, por ata duhet t`i prijnë një misioni të ri me kërkesat e shtruara të shqiptarëve përmes zërit të protestës dhe debatit demokratik”, nënvizon kreu i AAAS-së.

Skënder Kodra vlerëson në fund se në raportimet që bëjnë mediat e huaja për rastin "Monstra", kjo protestë për fat të keq raportohet si fetare, kur në të vërtetë është kombëtare. /albeu.com/
Shtuar më 10/08/2014, ora 10:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori